ASTANA (AA) - Me pjesëmarrjen e delegacioneve me përfaqësuesit ushtarakë të opozitës, regjimit të Bashar al Asadit, Turqisë, Rusisë, Iranit dhe të SHBA-ve, nesër në kryeqytetin e Kazakistanit, Astana, do të mbahet një takim me qëllim ndalimin e luftës së brendshme në Siri, raporton Anadolu Agency (AA).
Delegacioni i përbërë nga këshilltarët dhe përfaqësues ushtarakë të opozitarëve ka mbërritur në Astana për të marrë pjesë në takimin rreth krizës në Siri.
Zv/nënsekretari i Ministrisë së Jashtme Turke, Sedat Önal, i cili kryeson delegacionin e Turqisë ka vizituar delegacionin e opozitës, duke shkëmbyer pikëpamjet mes tyre. Ndërsa më pas me delegacionin e opozitarëve janë takuar edhe delegacioni i përbashkët i përbërë nga diplomatët britanikë, francezë, gjermanë dhe danezë, ku palët në takim kanë folur për pritshmëritë e tyre në lidhje me takimin ndërkombëtar që do të mbahet ditën e nesërme.
Kryesimin e takimit në Astana e kryen Rusia me Turqinë e cila është garantuesja në emër të opozitarëve për armëpushimin e shpallur më 30 dhjetor në Siri.
Në delegacionin ushtarak të opozitës së Sirisë e cila do të ulet në tryezën ndërkombëtare në Astana ndodhen 14 persona të cilët janë përcaktuar nga grupet kryesore të luftës së brendshme. Në këtë ekip ndodhet edhe një përfaqësues nga Komanda e Frontit Jugor të Ushtrisë së Lirë Siriane. Ndërsa delegacionin do ta kryesojë Muhammed Allush, përfaqësuesi i Ushtrisë Islame e cila është një prej grupeve më të mëdha në terren. Gjithashtu edhe një ekip prej afërsisht 40 personash të përbërë nga këshilltarë ligjorë, politikë dhe të medias do të shoqërojë grupin në Astana.
Një nga aspektet më të rëndësishme të takimit në Astana, është sigurimi i pjesëmarrjes më të gjerë të opozitës ushtarake të Sirisë në negociata që nga fillimi i luftës civile e deri tani. Gjithashtu bëhet e ditur se disa grupe si Ahrarush Sham që nuk marrin pjesë në Astana i përmbahen procesit të armëpushimit.
Ndërsa në anën tjetër opozitarët pas shumë vitesh për herë të parë kanë arritur konsensus në masë të madhe në takimet përgatitore në kryeqytetin e Kazakistanit.
Ndryshe nga takimet e tjera të mbajtura në kryeqytetet perëndimore këtë herë të gjithë pjesëmarrësit në tryezë për herë të parë përbëhen nga grupet ushtarake që luftojnë në terren.
Nën udhëheqjen e Turqisë dhe Rusisë opozita dhe regjimi i Asadit do të negociojnë për herë të parë drejtpërdrejt në një tryezë. Më parë në Gjenevë ka patur një kontakt të shkurtër, si për shkëmbimin e pengjeve dhe për disa masa rreth rritjes së besimit. Gjithashtu edhe Rusia me Iranin do të vërejnë për herë të parë përballë tyre të mbledhur në tryezën e takimit opozitën ushtarake.
Parësor është ndalimi i shkeljeve të armëpushimit
Sipas informacioneve që një prej anëtarëve të delegacionit opozitar ushtarak të Sirisë ka dhënë për AA-në, mësohet se opozitarët ditën e nesërme në takim do të prezantojnë shkeljet e armëpushimit me vende të shënuara në hartë të cilat janë kryer nga ushtria e Bashar al Asadit dhe grupet e huaja terroriste mbështetëse të regjimit.
Opozitarët të cilët kërkojnë ndalimin e shkeljeve nga forcat e regjimit do të vendosin kushtin e tërheqjes nga rajonet Guta Lindore e Damaskut dhe rajonet në periferinë perëndimore në Luginën Barada të cilat janë marrë nën kontroll nga ushtria e Asadit dhe të Hizbullahut me mbështetje nga Irani pas armëpushimit i cili hyri në fuqi me 30 dhjetor.
Në fazën e dytë masat për rritjen e besimit
Në rast se regjimi dhe garantuesja Rusia do të hedhin hap në lidhje me shkeljet e armëpushimit, opozitarët do të propozojnë zbatimin e dy masave të rritjes së besimit.
Njëra nga këto masa do të jetë hapja e korridorit njerëzor në rajonin ku kriza njerëzore është thelluar në Damask dhe Humus të cilat ndodhen nën rrethimin e regjimit. Gjithashtu opozitarët do të kërkojnë lirimin e mijëra të burgosurve politikë në burgjet e regjimit.
Pjesëmarrësit në takim
Në një deklaratë me shkrim nga Ministria e Jashtme e Kazakistanit theksohet se takimi për Sirinë i cili do të fillojë nesër në orën 13.00, me orën lokale në hotelin Rixos do të përfundojë të nesërmen në orën 13.00.
Ndër të tjera në deklaratë thuhet se në negociatat që do të zhvillohen me dyer të mbyllura për median krahas përfaqësuesve të regjimit dhe opozitarëve do të marrin pjesë edhe përfaqësues të Turqisë, Rusisë, Iranit, SHBA-së dhe përfaqësuesi special për Sirinë i OKB-ve, Staffan de Mistura.
Turqia dhe Rusia me qëllim që të mundësonin që takimi të kalojë në mënyrën më të frytshme ishin dakorduar që të mbanin të kufizuar numrin e vendeve pjesëmarrëse.
Qeveria e Teheranit e shqetësuar nga deklaratat e presidentit amerikan Donald Trump me objektiv Iranin kreu përpjekje që të pengonte pjesëmarrjen e qeverisë së Washingtonit, por Turqia dhe Rusia nuk e gjetën të përshtatshme përjashtimin e SHBA-ve.
Pritet që presidenti rus, Vladimir Putin, të dërgojë në takim përfaqësuesin special për Sirinë, Alexander Lavrentiev, ku gjithashtu në delegacion do të jetë i pranishëm edhe zv/ministri i Jashtëm i Rusisë që është përgjegjës për Lindjen e Mesme dhe Afrikën, Mikhail Bogdanov.
Ndërsa delegacioni i regjimit të Asadit do të përfaqësohet nga Përfaqësuesi i OKB-ve Beshar el-Xhaferi.
Përpjekjet e Turqisë
Marrja përsipër e një iniciative të re nga Turqia dhe Rusia me qëllim për ti dhënë fund luftës së brendshme pas operacionit të evakuimit të popullatës civile dhe të luftëtarëve në lindje të Halepit, pati shqetësuar kryeqytetet perëndimore.
Pavarësisht deklaratave për mbështetje për takimin në Kazakistan nga qeveritë perëndimore, jepet mesazhi se menjëherë pas takimit në Astana të gjitha bisedimet duhet të transferohen në Gjenevë.
Gjithashtu disa ekipe të SHBA-së, iu kishin bërë presion shumë grupeve opozitare që të mos merrnin pjesë në bisedimet në Astana.
Qëndrimi besnik në procesin e armëpushimit, si dhe pjesëmarrja e gjerë në Astana e opozitës ushtarake siriane shikohet si një sukses që Turqia e ka mundësuar e vetme.
news_share_descriptionsubscription_contact
