Mustafa Deveci
08 Janar 2020•Përditësim: 09 Janar 2020
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se Izraeli mbështet Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) në vazhdën e krizës së përshkallëzuar në marrëdhëniet SHBA-Iran, raporton Anadolu Agency (AA).
"Irani dëshiron të shkatërroj Izraelin. Të gjithë që marrin guximin të tentojnë të sulmojnë Izraelin do të pësojnë goditje të rëndë", tha Netanyahu në një konferencë në Kudsin Perëndimor.
Përshkallëzimi dramatik i krizës në marrëdhëniet SHBA-Iran erdhi të premten pas një sulmi ajror në Bagdad, në të cilin forcat amerikane vranë gjeneralin iranian Qassem Soleimani, komandantin e njësisë Kuds, i cili njihet si njësiti elitarë i Gardës Revolucionare të Iranit.
Në orët e hershme të mëngjesit të sotëm, forcat iraniane filluan sulme me raketa balistike në dy bazat ushtarake amerikane në Irak, në bazën ajrore Ayn Al-Asad në Anbar dhe në bazën në Erbil.
Dje, kryeministri izraelit Netanyahu tha se Izraeli nuk mori pjesë në sulmin e javës së kaluar në Bagdad dhe se nuk duhet të përfshihet në këtë krizë.
Ai sot nga Kudsi tha se Izraeli është plotësisht në anën e SHBA-së dhe se mbështet vendimet zyrtare të Washingtonit.