Bilgin S. Şaşmaz
08 Maj 2016•Përditësim: 09 Maj 2016
NEW YORK (AA) – Kryefamiljarja 34 vjeçare Heather Hardy, e rritur në një varfëri të skajshme në New York, kishte filluar të merret me boks për të "çliruar veten nga stresi", por që me një angazhim maksimal dhe me stërvitje të mundimshme ka arritur të fitojë të gjitha meçet në të cilat është përballur duke triumfuar mbi të gjitha 16 kundërshtaret që ka pasur deri më sot, raporton Anadolu Agency (AA).
Përveç kësaj, Hardy ia doli të fitoj edhe titullin e kampionit ndërkombëtar të Këshillit Botëror të Boksit (WBC). Boksierja njihet ndryshe me nofkën “Heat”, ndërsa rrëfimi i saj për jetën i ngjan atij nga filmi “Rocky”.
Gjatë jetës është përballur me varfëri, ishte e pastrehë dhe në disa momente viktimë e dhunës, ndërsa jetën ja ka kushtuar përkujdesjes për vajzën e saj, Annie Wagner, ku në periudha të caktuara ka qenë e angazhuar në gjashtë punë të ndryshme.
Jeta e saj morri një drejtim diametralisht të kundërt atëherë kur Heat në moshën 28 vjeçare vendosi të merret me boks për të mirëmbajtur formën fizike dhe të "çlirohet nga stresi". Tre javë nga dita kur kishte filluar stërvitjet ajo u përball me sfidën e parë, ndërsa pas tetë titujve të fituar në 18 muajt e parë ajo vendos të merret profesionalisht me boksin.
Në një prononcim për AA ajo rrëfen historinë e jetës së saj, për situatat kur ka qenë e pastrehë dhe për momentet më të lumtura kur fiton titullin e kampiones.
Siç thotë, ajo është një nënë e lirë, kampione e pamposhtur e WBC-së dhe femra e parë që është marrë me boks në qendrën Barclays.
“Fëmijëria më kaloi në varfëri, isha e pastrehë dhe e keqtrajtuar seksualisht. Me boksin fillova të merrem në moshën 28 vjeçare që është një moshë e vonuar. Në kohë kur fillova të merrem me boks kaloja nëpër një periudhë të vështirë të divorcit. Jetoja me të bijën time dhe punoja në gjashtë punë të ndryshme. Boksi ishte i vetmi angazhim të cilin e kisha për veten time”, tha Hardy.