Melike Pala
10 Prill 2026•Përditësim: 10 Prill 2026
Trafiku detar në Portin e Antverpit në Belgjikë është ndalur plotësisht pas një derdhjeje nafte nga një anije gjatë operacioneve të furnizimit me karburant, transmeton Anadolu.
Siç raporton agjencia Belga, autoritetet thanë se incidenti ndodhi të enjten në dokun Deurganck, duke përfshirë anijen kontejnerike MSC Denmark VI.
Rrjedhja është vënë nën kontroll, por një sasi e konsiderueshme nafte ka hyrë në lumin Scheldt si dhe në zonën e dokut.
Si rezultat, të gjitha lëvizjet e anijeve janë pezulluar deri në një njoftim të dytë dhe aktualisht asnjë anije nuk lejohet të hyjë apo të dalë nga porti.
Autoriteti portual paralajmëroi se kohëzgjatja e ndërprerjes mbetet e paqartë.
Një avion është angazhuar për të vlerësuar përmasat e derdhjes ndërsa ekipet në terren vazhdojnë përpjekjet për izolimin dhe pastrimin e zonës.
Zyrtarët gjithashtu paralajmëruan për rrezikun e mundshëm të ndikimit mjedisor në zonat natyrore të mbrojtura përreth.
“Ndikimi është i madh dhe nuk është e qartë sa do të zgjasë kjo. Po bëjmë gjithçka të mundur për të minimizuar dëmet operacionale dhe ekologjike”, tha porti.
Porti i Anverpit, përkatësisht porti i dytë më i madh në Evropë, përpunon rreth 290 milionë tonë mallra në vit dhe lidhet me më shumë se 800 destinacione në mbarë botën.