Ekip
13 Qershor 2017•Përditësim: 14 Qershor 2017
SAN FRANCISCO (AA) – Në një studim publikuar në revistën mjekësore New England, më shumë se 2 mijë profesionistë të shëndetit shqyrtuan të dhënat shëndetësore të 68 milionë personave në 195 shtete dhe rajone. Nga studimi ka rezultuar se gjatë viteve 1980-2015 përqindja e obezitetit në 73 shtete është rritur për 40 për qind.
Sipas studimit, rritja më e madhe e numrit të njerëzve me obezitet në periudhën në fjalë ishte konstatuar në Egjipt, me 37 për qind rritje. Rritja më e lartë e obezitetit në fëmijëri u konstatua në Kinë dhe në Indi, kurse rritja më e lartë në nivelin e obezitetit në moshën e rritur është në SHBA dhe në Kinë.
“Obeziteti është një prej problemeve më të vështira të shëndetit publik të kohës sonë, i cili prek rreth çdo një në tre persona”, ka thënë Ashkan Afshin nga ekipi hulumtues.
Numri i fëmijëve me obezitet arriti në 42 milionë
Në anën tjetër, sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) numri i fëmijëve me obezitet i cili në vitin 1990 ka qenë 32 milionë, në vitin 2013 arriti në 42 milionë.
Në rast se vazhdon ky trend, pritet që në vitin 2025 numri i fëmijëve me obezitet në mbarë botën të arrijë në 70 milionë.