Muhammed Bilal Kenasari
12 Gusht 2016•Përditësim: 13 Gusht 2016
WASHINGTON (AA) – Departamenti Amerikan i Shtetit bëri të ditur se do ta pranonin me kënaqësi pjesëmarrjen e Rusisë në operacionet kundër DAESH-it në Siri, raporton Anadolu Agency (AA).
Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit Elizabeth Trudeau, në konferencën ditore për media, vlerësoi lajmet në lidhje me thirrjen që ministri i Jashtëm i Turqisë Mevlut Çavushoglu ia bëri Rusisë për pjesëmarrje në operacionet kundër DAESH-it.
Trudeau, duke theksuar se janë në kontakte të afërta me Turqinë dhe aleatët e tjerë në çështjen e luftës kundër DAESH-it, tha se “Nëse lufta kundër DAESH-it është prioritet i të gjithë ne dhe nëse ky me të vërtetë është hap që bëhet për këtë qëllim, atëherë e pranojmë me kënaqësi."
Duke rikujtuar se janë në kontakte me anëtarët tjerë të koalicionit të formuar kundër DAESH-it, Trudeau tha se në qoftë se rekomandimi që Turqia ia bëri Rusisë është pjesë e kësaj lufte, atëherë atë do ta pranojnë me kënaqësi. Ajo theksoi se pjesëmarrja e Rusisë në luftën kundër DAESH-it nuk do ta ndryshonte strategjinë e koalicionit.
Zëdhënësja u pyet në lidhje me deklaratat për mundësinë e rritjes së bashkëpunimit të Turqisë me Rusinë në fushën e industrisë dhe në lidhje me reagimet e SHBA-së ndaj kësaj. Ndërkaq, Trudeau, duke theksuar se Turqia është anëtare e NATO-s që nga vitit 1952, u shpreh se “Besojmë se është me rëndësi nëse shtetet e NATO-s sigurojnë pajisje ushtarake të cilat janë kompatibile me sistemin e NATO-s.”
- “Nuk duhet të vihet në pikëpyetje mbështetja jonë ndaj Turqisë”
Zëdhënëses Trudeau iu përkujtuan fjalët e Presidentit të Turqisë Recep Tayyip Erdoğan në adresimin e tij para qytetarëve që mbanin kujdestari para Kompleksit Presidencial, i cili tha se “Herët apo vonë, SHBA-të do ta bëjnë zgjedhjen e tyre: Ose Turqia, ose FETO”. Ndërkaq Trudeau vuri në pah se nuk do të flasë në lidhje me këtë çështje.
Ajo dha vlerësime në lidhje me ekstradimin e Gülenit: "Këtë çështje e kemi biseduar edhe më herët. Marrëveshja për ekstradim është nënshkruar dyanëshe. Është marrëdhënie ligjore dhe teknike mes dy aleatëve. Është mjaft e qartë se si do të vazhdojë ky proces dhe nuk ndikohet nga ndjenjat apo ndonjë faktor tjetër politik. Siç e dini, neve na kanë ardhur disa dokumente. Po vazhdojmë të hulumtojmë dhe të jemi në kontakt me miqtë tanë turq në lidhje me çështjen. Sidoqoftë, kjo procedurë drejtohet nga ligji dhe është një sistem ligjor.”
Më tej Trudeau tha se “Aleanca jonë me Turqinë, siç thamë, daton që nga viti 1952, që nga NATO-ja. Partneriteti ynë me Turqinë është i thellë, i fuqishëm dhe i shëndoshë. Pikë.”
Ndërkaq, në lidhje me një pyetje për ekstradimin e Gülenit, Trudeau u shpreh se SHBA-të do t’i zbatojnë dispozitat e të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara për ekstradim dhe se çështja nuk duhet ngatërruar në formën “zgjedhje mes FETO-s dhe Turqisë”.
Pyetjes “Domethënë, nuk besoni se duhet zgjedhur njëri mes tyre?”, Trudeau u përgjigj se “Nuk është e nevojshme të bëjmë zgjedhje mes Turqisë apo FETO-s. Procedura ligjore në lidhje me ekstradimin është e qartë. Është e caktuar në marrëveshje. Nuk duhet të vihet në pikëpyetje mbështetja jonë ndaj Turqisë”.
Pyetjes në lidhje me atë se sa do të zgjasë procedura e ekstradimit, zëdhënësja Trudeau u përgjigj: “Mund të zgjasë me muaj, madje edhe vite. Nuk mund të flas për një periudhë të caktuar kohore.”
-Dënimi i sulmeve terroriste
Trudeau bëri të ditur se i dënon sulmet terroriste në Diyarbakir dhe Mardin, duke i shprehur ngushëllime familjeve të të vrarëve dhe duke uruar shërim sa më të shpejtë për të plagosurit.
Gjatë konferencës, iu parashtrua pyetja: “Konferencën për media e filluat duke e dënuar sulmin në Turqi. Edhe dje disa zyrtarë e dënuan. E keni dënuar shumë herë tentativën për grusht shteti në Turqi. A ju mërzisin kritikat dhe diskursi i rreptë i zyrtarëve turq ndaj SHBA-ve?” Ndërkaq, Turdeau, u përgjigj: “Nuk mund ta përkufizoj në këtë mënyrë. Ashtu siç kam thënë më pare, e kuptojmë se kjo gjendje është çështje serioze për Turqinë dhe se qeveria e Turqisë po punon në lidhje me këtë çështje (tentativën për grusht shteti). Ne duam ta sigurojmë Turqinë se partneriteti ynë është i shëndoshë.”