Afra Aksoy
01 Maj 2018•Përditësim: 02 Maj 2018
KUDS (AA) – Në lajmet e mediave izraelite thuhet se “Dëshmitë e prezantuara nga kryeministri Benjamin Netanyahu në lidhje me programin bërthamor të Iranit nuk janë të reja" dhe se këto informacione ndodhen në raportet e Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA), transmeton Anadolu Agency (AA).
Në lajmin e publikuar në gazetën “Haaretz" të Izraelit thuhet se dëshmitë të cilat Netanyahu pretendon se i posedojnë në lidhje me programin bërthamor të Iranit, ndodhen në raportet e mëparshme të IAEA-së.
Duke u bërë të ditur se në dokumentet e prezantuara nga Netanyahu nuk përmendet ndonjë datë, në lajm u theksua se këto nuk dëshmojnë se “angazhimet për zhvillimin e programit bërthamor të Iranit” janë bërë pas marrëveshjes për programin bërthamor të nënshkruar para 3 vitesh.
Më tej thuhet se kryeministri i Izraelit ka prezantuar vetëm dokumente të njohura në kuadër të programit bërthamor të Iranit nga shtetet anembanë botës dhe fotografitë e vjetra të armëve të prodhuara. Gjithashtu në lajm thuhet se “Netanyahu nuk ka dhënë informacione të reja në lidhje me armët bërthamore të Iranit”.
"Haaretz" po ashtu akuzoi Netanyahun për “keqpërdorim të suksesit të Mossadit duke arritur në dokumentet e Iranit, për interesat e veta”.
Në anën tjetër në lajmin e gazetës "Yedioth Ahronoth" thuhet se “informata e marra në lidhje me programin bërthamor të Iranit është një sukses inteligjence i Mossadit”.
“Mirëpo këto dokumente nuk do të kenë ndikim në qëndrimin e botës ndaj Iranit. Sepse nuk po ofrojnë një përmbajtje të re në lidhje me programin bërthamor të Iranit”, thuhet në lajm.
Kurse edhe në lajmin e gazetës "Maariv", e cila publikohet në Izrael përfshihen deklaratat e ministrit të Punëve të Jashtme të Iranit, Javad Zarif, i cili është shprehur se “Konferenca e Netanyahu-ut nuk është asgjë tjetër pos një absurditet. Netanyahu ka prezantuar disa informacione të vjetra të cilat i posedonte IAEA”.
Ndryshe, kryeministri izraelit, Netanyahu, dje pretendoi se inteligjenca izraelite ka arritur në dëshmi se Irani po punon për një program të fshehtë për prodhimin e armëve bërthamore. Ai pohoi se inteligjenca e Izraelit ka arritur në “55 mijë faqe informata të fshehta në 183 CD në lidhje me programin bërthamor të Iranit”.