Elena Teslova
11 Dhjetor 2019•Përditësim: 11 Dhjetor 2019
Bisedimet mes Rusisë dhe Washingtonit nuk kanë çuar në një përparim në marrëdhëniet dypalëshe, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, raporton Anadolu Agency (AA).
"Fakti që ministri rus u prit nga presidenti amerikan është një moment i rëndësishëm. Një gjë tjetër është se deri më tani ne nuk mund të bisedojmë për ndonjë ndryshim pozitiv në marrëdhëniet tona dypalëshe. Por kontaktet e këtilla janë të rëndësishme", u tha Peskov përfaqësuesve të mediave në Moskë.
Ministri i Punëve të Jashtme i Rusisë, Sergey Lavrov, të martën në Washington zhvilloi bisedime me homologun e tij amerikan Mike Pompeo dhe me presidentin amerikan Donald Trump.
Në konferencën për media pas takimit, Lavrov tha se janë diskutuar çështjet dypalëshe, kontrolli i armëve dhe konfliktet rajonale.
Duke folur për formatin e Normandisë mes Gjermanisë, Francës, Rusisë dhe Ukrainës, Peskov tha se të gjitha palët kanë ndjekur qëllimin e njëjtë që të ndërmarrin hapa të vërtetë për të zgjidhur konfliktin në Ukrainë.
"Hapa të caktuar, hapa të rëndësishëm janë ndërmarrë në këtë drejtim, por mbetet shumë për t'u bërë", tha ai.
Më herët gjatë javës, formati i Normandisë u mbajt për të diskutuar një zgjidhje të konfliktit në lindje të Ukrainës.