Mesut Zeyrek
10 Shkurt 2018•Përditësim: 11 Shkurt 2018
KËLN (AA) – Profesori i pensionuar i Edukatës Fizike, Hüdai Acemi nga Këlni i Gjermanisë, në moshën 70-vjeçare ka vendosur të marrë pjesë në maratonën e Republikës së Afrikës së Jugut, por kjo nuk është e tëra, sepse maratona e sivjetshme, për pensionistin do të jetë e 70-ta në jetën e tij.
Pavarësisht se ka hyrë në dekadën e tetë të jetës, Axhemi, i cili për 45 vite ka punuar si profesor i Edukatës Fizike, më 18 shkurt do të jetë njëri nga garuesit e maratonës Cape Peninsula në Republikën e Afrikës së Jugut.
Maratona e gjatë 42 kilometra dhe 195 metra, do të jetë e 70-ta në jetën e tij.
Duke folur për Anadolu Agency (AA), ai theksoi se aktualisht po bën përgatitjet e fundit për maratonën në fjalë, meqë siç rrëfen, në asnjë maratonë nuk ka hyrë i papërgatitur.
"Mbaj shënime për përgatitjet. Për maratonën që vijon, kam vrapuar 2.088 kilometra. Meqë do të vrapojmë në asfalt, në sipërfaqe të tillë kanë qenë edhe përgatitjet e mia”, tha Acemi.
Ai rrëfen për maratonën e parë, për të cilën ka vrapuar në vitin 1986, dhe prej atëherë ka përshkuar shtigjet e maratonave në mesin e të cilëve në qytetet Këln, Bonn, Dusseldorf, Dortmund, Berlin, Hamburg, Frankfurt, Athinë, Stamboll, Romë, Barcelonë, Paris, Londër, Rotterdam, Pragë, Vjenë dhe Stokholm.
Acemi ka në plan që në dy vitet e ardhshme të paraqitet në Tokio dhe Sidney, ndërkohë që porosit të rinjtë të merren me sport, e nëse vendosin të merren me vrapim, këtë ta bëjnë në ambient të hapur.
"U them që të merren me vrapim, ditën, natën, dimrit dhe verës. Nëse më jep Zoti forcë, edhe më tutje do të merrem me vrapim, pavarësisht moshës që kam. Gjithmonë përpiqem që në cak të arrij i buzëqeshur”, porositi 70 vjeçari Acemi.