Safiye Karabacak
14 Mars 2021•Përditësim: 15 Mars 2021
Në qytetin Ubari në rajonin Fezzan në jug të Libisë janë kryer 4 sulme me mjete ajrore pa pilot (dronë), raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas informacioneve të marra nga burimet lokale, mësohet se në sulme janë shënjestruar pika të ndryshme pranë qendrës së qytetit. Teksa ende nuk është përcaktuar se cilat pika janë shënjestruar, thuhet se sulmet në fjalë janë kryer gjatë periudhës nga ora 04:00 deri në orën 07:00 sipas kohës lokale.
Mbi qiejt e qytetit është dëgjuar zhurma e avionëve që nga orët e mbrëmshme dhe thuhet se ato kanë vazhduar deri në kryerjen e sulmeve. Ndërkohë nga autoritetet libiane ende nuk është dhënë ndonjë deklaratë lidhur me ngjarjen.
Njoftohet se sulmet mund të janë ndërmarrë nga Komanda Amerikane e Afrikës (AFRICOM) pasi edhe më parë ajo ka kryer sulme të ngjashme në qytet. Por, theksohet se AFRICOM nuk ka kryer më parë 4 sulme të njëpasnjëshme.
Departamenti i Mbrojtjes së SHBA-së më 24 mars 2018 njoftoi se "dy terroristë" u vranë në një sulm ajror të ndërmarrë nga AFRICOM në afërsi të qytetit Ubari në jug të Libisë.
AFRICOM mori përgjegjësinë për sulmin me dron në zonën Uveynat në afërsi të qytetit Ubari më 25 korrik 2018, ku u vranë 11 militantë të Al-Kaedës.
Në qytetin Ubari i cili është qyteti i dytë më i madh në jug të Libisë, jeton kryesisht popullata Taureg. Në këtë rajon ndodhet fusha e dytë më e madhe e naftës në vend Sharara, e cila është nën kontrollin e Khalifa Haftarit, liderit të forcave të armatosura jolegjitime në lindje të Libisë.