Admir Fazlagikj
24 Prill 2016•Përditësim: 25 Prill 2016
VELES (АА) – Në prani të dhjetëra qytetarëve nga Velesi, përfaqësuesit të UNHCR-së, Mohamed Arif, si dhe disa aktivistëve humanitarë sot në varrezat e qytetit në Veles, me vendosje të monumentit në vendin ku janë varrosur, u shënua përvjetori i parë i vdekjes së 14-të refugjatëve të cilët tragjikisht humbën jetën në linjën hekurudhore Veles-Shkup në kërkim për të shpëtuar jetën e tyre nga konfliktet ushtarake në vendet e Lindjes së Mesme dhe Afrikën Veriore, raporton Anadolu Agency (AA).
Besimtarët e pranishëm muslimanë të kryesuar nga imami i xhamisë në Veles, Sejfedin Selimovski me lutje kujtuan refugjatët e vdekur në mënyrë tragjike, ndërsa me këtë rast imami Selimovski duke iu drejtuar të pranishmëve tha se këto refugjatë të vdekur tragjikisht ishin në kërkim të paqes.
Përfaqësuesi i UNHCR-së, Mohamed Arif, në fjalimin e tij të shkurtër tha se refugjatët të cilët para një viti humbën jetën në në Veles janë njerëz që kanë ikur nga lufta dhe ishin në kërkim të paqes, por që tragjikisht humbën jetën.
“Këto 14-të vetë nuk janë të vetmit që kanë humbur jetën e tyre duke ikur nga lufta, ka edhe shumë të tjerë të cilët kanë humbur jetën e tyre, ndërsa ka ende njerëz që janë në këtë rrugë dhe të cilët ende ikin”, tha Arif, duke apeluar deri te vendet në të cilat gjenden refugjatët që të bëjnë çmos për t’i mbrojtur, që të mos përjashtohen dhe ndaj tyre të sillen në mënyrë humane sepse siç tha ai, kjo është përgjegjësia e çdo vendi. Nismëtare për shënimin e përvjetorit të vdekjes së refugjatëve është aktivistja humanitare Lençe Zdravkin e cila ndihmon në përkujdesjen e refugjatëve që nga arritjet e tyre të para në grupe në Maqedoni, duke shkuar për në Evropë.
“Qëllimi i shënimit të kësaj ngjarje tragjike është të kujtojmë humbjen tragjike të jetës së refugjatëve por edhe të bëhet thirrje për një trajtim human ndaj tyre”, deklaroi aktivistja Zdravkin për Anadolu Agency (AA). Ajo informoi se ideja e saj për shënimin e përvjetorit të parë të vdekjes së refugjatëve, teknikisht është mbështetur nga UNHCR Maqedoni.
Kujtojmë se më 23.04.2015 në linjën hekurudhore Veles-Shkup, duke ecur nga kufiri jugor i Maqedonisë drejt atij verior 14 refugjatë, prej të cilëve 13 afganë dhe një somalez humbën jetën gjatë arritjes së trenit ndërkombëtar i cili qarkullonte në relacionin Selanik-Beograd, ndërsa Ministria e Punëve të Brendshme konfirmoi se refugjatët kanë vdekur në vend ngjarje. Që nga fillimi i krizës së refugjatëve e deri në miratimin e ndryshimeve të Ligjit për azil në qershor të vitit të kaluar, ku iu lejua refugjatëve që të përdorin transportin publik gjatë transportimit nga kufiri jugor i Maqedonisë drejt atij verior kanë humbur jetën së paku 30 refugjatë.