Admir Fazlagikj
08 Mars 2016•Përditësim: 09 Mars 2016
TABANOC (AA) – Nga orët e pasdites të ditës së hënë në vijën kufitare mes Maqedonisë dhe Serbisë janë bllokuar refugjatë nga Siria dhe Iraku të cilëve nuk po u lejohet të kalojnë në territorin e Serbisë, raporton Anadolu Agency (AA).
Udhëheqësi i Qendrës rajonale për Menaxhim me Kriza, në Kumanovë, Goran Stojanovski thotë se këta refugjatë që nga ora 12 e ditës së djeshme kanë mbetur të bllokuar në vijën kufitare dhe se situata e tyre është e vështirë.
Përkundër posedimit të dokumentacionit të rregullt, Serbia nuk ka lejuar hyrjen e tyre në vend, thotë ai.
"Aktualisht janë 437 emigrantë të cilët gjenden te guri kufitar mes Maqedonisë dhe Serbisë. Ata janë të bllokuar në mënyrë të njëanshme nga Republika e Serbisë që nga dita e djeshme në ora 12 atëherë kur mbërriti treni. Bëhet fjalë për refugjatë kryesisht nga Siria dhe Iraku, ndërsa mbi 50 përqind janë gra dhe fëmijë, më konkretisht, kategori të rrezikuara”, deklaroi për AA, Stojanovski.
Njëri nga refugjatët e bllokuar është dhe Emir Ahmed nga Halepi i Sirisë. Ai ankohet për kushtet e vështira, por shpreh habinë për ndalesën serbe sepse siç thotë destinacioni final i tyre është Evropa perëndimore.
"Kemi mbëritur në ora 14 të ditës së djeshme. Kufiri ishte i mbyllur, binte shi ndërsa ne mbetëm nën qiell të hapur pa ushqim. Nuk kishim asgjë. Ka shumë fëmijë në mesin tonë, ndërsa falënderojmë shoqatat humanitare të cilan na ofruan ushqim”, tregon ai për të shtuar se mosqasja në internet i pamundëson ata të informohen për zhvillimet e fundit, ndërkohë thotë se u është thënë që liderët kanë vendosur t'ua ndalojnë qarkullimin.
Ndryshe, në qendrën tranzitore në Tabanoc afër Kumnovës janë gjithsej 1.030 refugjatë nga Siria Iraku dhe Afganistani të cilëve organizatat humanitare po u japin ushqim, veshmbathje dhe trajtim mjekësor.
“Aktualisht po shpërndahet ushqim dhe veshmbathje dhe po ofrohet ndihma mjekësore si përgjigje adekuate për trajtimin human të tyre” sqaron udhëheqësi i Qendrës rajonale për Menaxhim me Kriza, në Kumanovë, Goran Stojanovski.
Gjatë orëve të pasdites në Tabanoc nuk ka arritur asnjë tren me refugjatë nga Gjevgjelia. Institucionet kompetente, organizatat humanitare si dhe vetë refugjatët janë në pritje të vendimeve nga shtetet e rrugës Ballkanike të cilat përcaktojnë zhvillimet e mëtejme.