Fatih Erel
05 Shkurt 2016•Përditësim: 05 Shkurt 2016
GJENEVË (AA) – Paneli i Kombeve të Bashkuara pohon se themeluesi i WikiLeaks, Julian Assange “në mënyrë arbitrare është arrestuar” dhe i bëri thirrje Britanisë së Madhe dhe Suedisë për lirimin e tij, transmeton Anadolu Agency (AA).
Grupi i punës i OKB-së kërkoi që t’i jepet fund privimit të lirisë së Assange, duke vlerësuar se doemos duhet të respektohet “integriteti i tij fizik dhe lëvizja e lirë”.
Grupi, i përbërë prej pesë ekspertëve, njoftoi se Londra dhe Stokholmi duhet të kompensojnë dënimin ndaj Assange. Prokuroria suedeze, e cila akuzon Assange për dhunim, njoftoi se kërkesa e grupit të punës të OKB-së për lirimin e Assange dhe kompensimin e dëmit “nuk ka ndikim formal ndaj rrjedhës së hetimeve”.
Zëdhënësja Karin Rosander tha se prokurori, i cili është përgjegjës për rastin “Assange” nuk ka mundësi që të komentojë situatën.
Assange nga qershori i vitit 2002 qëndron në godinën e ambasadës së Ekuadorit në Londër për të evituar arrestimin lidhur me fletarrestin ndërkombëtar dhe ekstradimin në Suedi për shkak të akuzave për sulm seksual, të cilat ai i mohon.
OKB-ja në vitin 2014 bëri ankesë në të cilën Britania e Madhe dhe Suedia akuzohen për përndjekje të parregullt, ndërsa ekspertët juridik të grupit të punës së OKB-së sot shpalosën rezultatet zyrtare të hetimit për këtë rast. Vendimi i grupit të punës ka karakter këshillëdhënës.