Zehra Ulucak
27 Nëntor 2016•Përditësim: 27 Nëntor 2016
ZAMBOANGA (AA) - Gjatë aksioneve antiterroriste në Filipine janë vrarë 11 pjesëtarë të grupit Maute, i lidhur me organizatën terroriste DEASH, raporton Anadolu Agency (AA).
Operacioni ka filluar me qëllim të çlirimit të objekteve që gjenden në duart e grupeve më të vogla. Zyrtarët filipinas theksojnë se përleshja ndodhi pasi pjesëtarët e grupit të lartpërmendur morën godinën e dikurshme administrative të qytetit Butig, që i takon provincës Lanao del Sur, raportojnë mediat kineze.
Zëdhënësi i ushtrisë filipinase majori Filemon Tan theksoi se në aksionin e pjesëtarëve të forcave të sigurisë janë lënduar edhe së paku pesë pjesëtarë të organizatës terroriste.
Sipas tij pjesëtarët e organizatës Maute të cilët morën disa objekte, vendosën simbole të DEASH-it në ish-godinën administrative, gjimnazin dhe xhamitë.
Komandanti Roseller Murillo të shtunën njoftoi se është kryer sulm ajror në qytetin Butig për të çliruar objektet që gjenden nën kontroll të pjesëtarëve të grupit Maute.
Murillo tha se në operacion janë lënduar dy ushtarë dhe shtoi se aksioni kundër organizatës do të vazhdojë. Rrugët drejt qytetit janë mbyllur, ndërsa banorët janë shpërngulur.
Një grup sulmuesish të armatosur për të cilët dyshohet se janë anëtarë të organizatës Maute në muajin gusht kryen sulm në burgun në Lanao del Sur dhe liruan 28 të burgosur, prej tyre tetë pjesëtarë të organizatës.