Ekip
05 korrik 2020•Përditësim: 06 korrik 2020
Ministrja palestineze e Shëndetësisë, Mai al-Kaila, e ka përshkruar epideminë e koronavirusit në qytetin El-Halil (Hebron) në Bregun Perëndimor si "jashtë kontrollit", transmeton Anadolu Agency (AA).
Duke folur në një intervistë për Palestine TV, al-Kaila tha se 173 infeksione me virusin janë regjistruar në El-Halil të shtunën.
Ministrja e shëndetësisë pritet të vizitojë qytetin gjatë ditës së sotme për të parë situatën nga afër.
Sipas ministres, 50 mjekë palestinezë deri më tani janë infektuar me virusin.
Ndërsa rastet vazhdojnë të rriten, al-Kaila tha se pret që qeveria palestineze të zgjasë bllokimin për pesë ditë të tjera për të frenuar përhapjen e pandemisë.
Të mërkurën, qeveria vendosi një bllokim pesëditor në 11 provinca të Bregut Perëndimor të pushtuar, përfshirë El-Halilin, në përpjekje për të frenuar virusin.
Deri më tani, Palestina ka konfirmuar 4.250 infeksione, përfshirë 17 vdekje. Më shumë se gjysma e rasteve të regjistruara kanë qenë në El-Halil.