Ivana Ramadanova
04 Tetor 2016•Përditësim: 04 Tetor 2016
SHKUP (АА) – Në organizim të Shoqatës për aksion kundër dhunës dhe tregtisë me njerëz – Porta e hapur/La Strada, sot në Shkup u mbajt paneli i diskutimit me temë “Mbrojtja sociale e refugjatëve në Maqedoni”, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas organizatorëve, qëllimi i studimit i cili u shpalos në panel është që në aspektin kritik të vlerësohet sistemi i mbrojtjes dhe ndihma për kategoritë më të ndjeshme të refugjatëve, duke shtuar se për këtë qëllim është shfrytëzuar metoda e studimit, meqë ofron gjithëpërfshirje, sidomos të përvojës së refugjatëve gjatë udhëtimit të tyre, si dhe qasjen deri te sistemi për mbrojtje në Maqedoni.
“Gjatë studimeve ishim dëshmitarë të ngjarjeve të bukura, të lindjeve të foshnjave, festimit të ditëlindjeve për më të vegjlit dhe bashkime familjare ku në numrin e madh të rasteve, ekipet tona kishin kontribut të madh. Por po ashtu kishim edhe momente pikëlluese, pikëllime për humbjen e të afërmve, pikëllime për familjet dhe fëmijët e humbur, apo pikëllim dhe dëshpërim për shkak të ëndrrave të thyera”, tha Marija Todorovska nga Porta e hapur.
Todorovska theksoi se studimet për rastet tregojnë se Maqedonia duhet të zhvillojë sistem adekuat për mbrojtje të refugjatëve, veçmas të grave që janë viktima të dhunës gjinore. “Hulumtimi u nda në dy faza. Në fazën e parë, u zbatua hulumtimi në zyrë, ndërsa më pas u zbatua hulumtimi në terren dhe gjatë kësaj periudhe u zbatuan 3 intervista themelore gjysmëstrukturore me tre raste representative. Ky studim jep pasqyrë të sistemit për mbrojtje të refugjatëve në Maqedoni”, theksoi Todorovska.