Ahmet Sait Akçay
25 Dhjetor 2017•Përditësim: 25 Dhjetor 2017
VATIKAN (AA) - Papa Françesku bëri thirrje për një zgjidhje të negociuar me dy shtete për konfliktin izraelito-palestinez, pas njohjes së Kudsit si kryeqytet i Izraelit nga ana e presidentit amerikan Donald Trump, raporton Anadolu Agency (AA).
Në mesazhin e tij tradicional me rastin e krishtlindjeve, Papa foli për krizën e Lindjes së Mesme të rinxitur nga vendimi i Trumpit.
"Le të lutemi që vullneti për të rifilluar dialogun të mbizotërojë midis palëve dhe që më në fund të mund të arrihet një zgjidhje e negociuar, e cila do të lejonte bashkëjetesën paqësore të dy shteteve brenda kufijve të pranuar reciprokisht dhe ndërkombëtarisht", tha ai.
Duke iu drejtuar dhjetëra mijëra njerëzve nga ballkoni i Bazilikës së Shën Pjetrit në Romë, ai shtoi: "Ne e shohim Jezusin te fëmijët e Lindjes së Mesme që vazhdojnë të vuajnë për shkak të tensioneve në rritje midis izraelitëve dhe palestinezëve".
Komentet e tij erdhën katër ditë pasi 128 shtete mbështetën një rezolutë të OKB-së kundër politikës së re të SHBA-ve për Kudsin.
Menjëherë pas njoftimit të Trumpit më 6 dhjetor, Papa Françesku bëri thirrje për respektimin e statusit të Kudsit dhe parandalimin e konflikteve të mëtejshme.
Papa preku gjithashtu krizën në Mianmar dhe Bangladesh, ku qindra mijëra muslimanë Rohingya po strehohen pas ikjes nga dhuna brutale nga forcat e sigurisë së Mianmarit.
Duke kujtuar udhëtimin e tij të fundit në rajon, Papa i kërkoi bashkësisë ndërkombëtare "të sigurojë që dinjiteti i pakicave të pranishme në rajon të mbrohet në mënyrë adekuate".
Duke folur për fëmijët prekur nga konflikti, Françesku u bëri thirrje njerëzve të mendojnë për vuajtjet e tyre në Siri, Irak, Jemen, Sudanin e Jugut, Somali, Burundi, Republikën Demokratike të Kongos, Republikën e Afrikës Qendrore, Ukrainë dhe Venezuelë.
Papa gjithashtu iu referua migrantëve dhe i krahasoi ato me Marinë dhe Jozefin teksa kërkonin vend për të qëndruar në Betlehem. Besimi kërkonte që të huajt të mirëpriteshin, tha Papa para turmës në fjalimin e tij "Urbi et Orbi" (qytetit dhe botës).