Admir Fazlagikj
06 Maj 2019•Përditësim: 06 Maj 2019
Kreu i Kishës Katolike, Papa Françesku gjatë ditës së nesërme do të qëndrojë për vizitë në Maqedoninë e Veriut, në kuadër të së cilës do të takohet me udhëheqjen politike në vend dhe do të mbajë meshën në qendrën e Shkupit, raporton Anadolu Agency (AA).
Ekipi organizues i vizitës së Papa Françeskut në Maqedoninë e Veriut bëri të ditur se Papa do të mbërrijë në aeroport mëngjesin e nesërm, ku do të pritet me nderime solemne ushtarake.
Pastaj, Papa do të drejtohet në Pallatin Presidencial “Vila Vodno”, ku do të zhvillojë takime të ndara me presidentin Gjorge Ivanov dhe kryeministrin Zoran Zaev, pas të cilave, siç është njoftuar, do të adresohet para autoriteteve shtetërore, shoqërisë civile dhe korit diplomatik në vend.
Në kuadër të vizitës së tij njëditore në Maqedoninë e Veriut, në Shtëpinë Përkujtimore “Nënë Tereza” në qendër të Shkupit, Papa do të takohet me udhëheqësit fetarë dhe të afërmit e Nënë Terezës, ndërsa më pas do të takohet edhe me një grup të rrezikuar të qytetarëve.
Në sheshin qendror “Maqedonia”, Papa do të mbajë meshën e shenjtë, ku është paralajmëruar prania e mijëra qytetarëve nga vendi, ndërsa më vonë do të drejtohet në Kishën Katolike në Shkup ku do të zhvillojë takim ekumenik dhe ndërfetar me të rinjtë si dhe takim me priftërinjtë dhe familjet e tyre.
Sipas paralajmërimit, më pas me nderime ushtarake Papa do të drejtohet në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, nga ku zyrtarisht do të përfundojë vizita e tij në Maqedoninë e Veriut.
Gjatë vizitës së Papa Françeskut në Shkup do të merren masa të veçanta të sigurisë. Ministria e Punëve të Brendshme ka paralajmëruar rregulla të reja në komunikacion, me qëllim lëvizjen e papenguar të aktiviteteve të planifikuara, duke përfshirë transportin publik si dhe parkimin falas për qytetarët.
Maqedonia e Veriut vizitohet për herë të parë në historinë e saj nga Papa Françesku, ndërsa zyrtarët e lartë të vendit këtë vizitë e vlerësojnë si një simbolikë të fortë.