Zeynep Katre Oran
03 gusht 2023•Përditësim: 04 gusht 2023
Udhëheqësi shpirtëror i katolikëve dhe kreu i Vatikanit, Papa Françesku u takua me 13 persona, viktima të abuzimeve seksuale të cilat kanë ndodhur prej më shumë se gjysmë shekulli ndaj fëmijëve në institucionet nën strukturën e Kishës Katolike të Portugalisë, transmeton Anadolu.
Zëdhënësi për media i Vatikanit, Matteo Bruni tha se takimi është zhvilluar dje në ambasadën e Vatikanit në Lisbonë, raportoi "Vatican News".
Papa i cili ndodhet në kryeqytetin e Portugalisë, Lisbonë, në kuadër të "Ditës Botërore të Rinisë", gjatë takimit të tij me 13 viktima të abuzimit seksual në institucionet e Kishës Katolike të Portugalisë tha se injorimi i këtyre ngjarjeve një kohë të gjatë "ka njollosur Kishën Katolike dhe ka larguar personat besimtarë nga feja".
Në takimin e mbajtur për më shumë se një orë, Papa nënvizoi se "Kisha duhet të dëgjojë britmat e dhimbshme të viktimave" dhe u kërkoi klerikëve të luftojnë kundër abuzimit të fëmijëve.
- Nga viti 1950 e deri më tani 4.800 viktima të abuzimit seksual në Portugali
Komisioni i pavarur që hulumton abuzimet seksuale ndaj fëmijëve në Kishën Katolike të Portugalisë, në raportin që publikoi në shkurt 2023 lidhur me pretendimet për abuzimet seksuale kundër fëmijëve nën 17-vjeç në Kishën Katolike Portugeze, njoftoi se në kuadër të punimeve u janë drejtuar deklaratave të 512 dëshmitarëve.
Sipas këtij komisioni, që nga viti 1950 e deri më tani 4.800 fëmijë janë ekspozuar ndaj abuzimit seksual nga punonjës fetarë që kanë punuar në institucionet nën strukturën e Kishës Katolike të Portugalisë.
Ndërkohë që pretendimet për abuzime seksuale në Kishën Katolike janë sjellë në rend dite në shumë vende në vitet e fundit, Komisioni i Pavarur në Francë njoftoi se 216 mijë fëmijë kanë qenë viktima të abuzimit seksual në 70 vitet e fundit.