Michael Hernandez
12 Mars 2019•Përditësim: 12 Mars 2019
Nga Shtëpia e Bardhë kanë bërë të ditur se nënpresidenti i SHBA-ve, Mike Pence, ka diskutuar vendimin për të reduktuar prezencën amerikane në Siri me Mbretin e Jordanisë, Abdullah II bin Al-Hussein, transmeton Anadolu Agency (AA).
Liderët gjithashtu kanë diskutuar “mundësitë për të punuar nga afër për të luftuar terrorizmin në rajon”.
Rreth 400 trupa amerikanë pritet të mbeten në Siri pas paralajmërimit të muajit dhjetor për tërheqje nga presidenti amerikan, Donald Trump, vendim i cili tronditi shtetet aleate të SHBA-ve në rajon, si dhe partnerët legjislativ të presidentit amerikan.
Trump pranoi që të lejoj disa trupa amerikanë që të qëndrojnë edhe pas tërheqjes në mënyrë që të zbusë disa nga brengat dhe gjysma e forcave pritet të merr pjesë në atë që Washingtoni zyrtar e quan “forca paqeruajtëse ndërkombëtare” në verilindje të Sirisë përderisa pjesa tjetër do të shfrytëzohen për të siguruar një garnizon në Sirinë jugore.
Mbreti Abdullah udhëtoi në një vizitë në Washington për të takuar Sekretarin Shtetëror, Mike Pompeo dhe me ushtruesin e detyrës Sekretar i Mbrojtjes, Patrick Shanahan.
Nga Pentagoni thonë se Shanahan dhe Abdullah kanë diskutuar kontributin e Jordanit në koalicionin e udhëhequr nga SHBA-të për të mposhtur DEASH-in, si dhe çështje tjera në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.
Nga Departamenti i Shtetit thonë se përgjatë takimit të tij me Mbretin Abdullah, Pompeo ka “riafirmuar forcën e marrëdhënieve bilaterale mes SHBA-ve dhe Jordanit dhe janë diskutuar disa çështje me interes të përbashkët, duke përfshirë përkushtimin e Jordanisë në reformat ekonomike dhe zhvillimit të rajonit të ndërlidhur me konfliktin në Siri”.