Necva Taştan Sevinç
15 Maj 2026•Përditësim: 15 Maj 2026
Pesë shtetas italianë, përfshirë një sdudiuese universitare dhe studiues detarë, kanë humbur jetën gjatë një ekspedite zhytjeje në Maldive, transmeton Anadolu.
Grupi u zhduk gjatë një zhytjeje pranë ishullit Alimathaa në Vaavu Atoll, ku po eksploronin shpella nënujore në thellësi prej rreth 60 metrash.
Agjencia italiane e lajmeve ANSA identifikoi viktimat si Monica Montefalcone, 51-vjeçe, vajza e saj Giorgia Sommacal, 23-vjeçe, studiuesja Muriel Oddenino, si dhe instruktorët e zhytjes Gianluca Benedetti dhe Federico Gualtieri.
Autoritetet lokale e përshkruan ngjarjen si “aksidenti më vdekjeprurës i vetëm i zhytjes” në historinë e Maldiveve.
Përpjekjet e kërkim-shpëtimit janë vështirësuar nga moti i keq dhe kompleksiteti i sistemit të shpellave. Zhytësit e Forcave të Mbrojtjes Kombëtare të Maldiveve kanë vazhduar operacionet gjatë natës, ndërsa është në fuqi një alarm i verdhë për mot të keq për anijet dhe peshkatarët.
Autoritetet besojnë se viktimat mund të jenë të bllokuara brenda të njëjtës shpellë nënujore, megjithëse deri sot në mëngjes ishte gjetur vetëm një trup.
Ministri i Turizmit dhe Aviacionit Civil i Maldiveve, Mohamed Ameen, tha se roja bregdetare dhe autoritetet përkatëse janë “aktivisht të angazhuara në operacionin e kërkimit dhe shpëtimit”.
“Ministria dhe sektori po ofrojnë çdo ndihmë të mundshme. Lutem për rikuperimin e sigurt të personave të zhdukur”, shkroi Ameen në platformën sociale amerikane X.
Shkaku i saktë i aksidentit mbetet nën hetim. Ekspertët përmendën probleme të mundshme me përzierjet e oksigjenit në bombola, rrymat e forta nënujore, ndryshime të papritura të temperaturës ose çorientim brenda rrjetit të shpellave.
Sipas mediave, zhytja rekreative në vend zakonisht kufizohet në thellësi deri në 30 metra.
ANSA raportoi se zhytja ka qenë pjesë e një ekspedite shkencore të fokusuar në ekosistemet detare të rajonit Vaavu Atoll. Montefalcone më parë ka udhëhequr fushata monitorimi detar në Maldive dhe së fundmi ka marrë pjesë në aktivitete kërkimore atje.
Universiteti i Xhenovës konfirmoi vdekjen e Montefalcones, duke e përshkruar atë si një eksperte të njohur ndërkombëtarisht në ekologjinë detare e përfshirë në projekte të shumta mjedisore.
Ministri italian i Turizmit, Gianmarco Mazzi, shprehu trishtim të thellë për vdekjet dhe u ofroi ngushëllime familjeve të viktimave.