Beyza Binnur Dönmez
16 korrik 2026•Përditësim: 16 korrik 2026
Autoritetet zvicerane kanë nisur hetime pasi disa dronë u panë duke fluturuar drejt centralit bërthamor Gosgen, duke shkaktuar një operacion policor, transmeton Anadolu.
Të dielën, një banor lokal njoftoi policinë pasi pa të paktën shtatë dronë që po drejtoheshin drejt centralit.
Sipas "Swissinfo", policia e kantonit Solothurn tha se hetimet janë duke vazhduar për të përcaktuar numrin e saktë të dronëve të përfshirë. Autoritetet po bashkëpunojnë me policitë e kantoneve fqinje, Zyrën Federale të Aviacionit Civil dhe Zyrën Federale të Policisë.
Zëdhënësi në centralin bërthamor, Max Brugger tha se centrali rriti masat e mbikëqyrjes gjatë natës pas incidentit, por siguria e tij nuk u cenua asnjëherë. Ai tha se objekti është projektuar për t’i rezistuar edhe përplasjes së një avioni të madh dhe se kërcënimi që paraqesin dronët për sigurinë bërthamore aktualisht konsiderohet i “papërfillshëm”.
Brugger refuzoi të japë detaje mbi masat mbrojtëse kundër dronëve për arsye sigurie. Ekspertët e dronëve thanë se, megjithëse dronët vështirë se mund të çaktivizojnë një central bërthamor, ata mund të përdoren për të vëzhguar nga ajri hyrjet, daljet dhe procedurat e sigurisë.
Policia zvicerane ka në dispozicion disa mjete kundër dronëve, përfshirë sisteme elektronike bllokuese që ndërpresin sinjalet radio ose GPS dhe në disa kantone pajisje që hedhin rrjeta në distanca të shkurtra.
Hetuesit nuk e kanë përjashtuar mundësinë që fluturimi të ketë qenë i autorizuar. Një incident i ngjashëm me dronë mbi një objekt të madh energjetik zviceran vitin e kaluar rezultoi më vonë se ishte një inspektim i miratuar i infrastrukturës.