Riyaz Khaliq Khaliq
16 Shtator 2021•Përditësim: 17 Shtator 2021
Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern ka deklaruar se vendi i saj nuk do të ndryshojë politikën për ndalimin e nëndetëseve me energji bërthamore, përderisa Australia u bashkua me SHBA-në dhe Mbretërinë e Bashkuar në një pakt të sigurisë për të blerë nëndetëse bërthamore, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Qëndrimi i Zelandës së Re në lidhje me ndalimin e anijeve me energji bërthamore në ujërat tona mbetet i pandryshuar", tha kryeministrja Ardern në një konferencë për media në kryeqytetin Wellington.
Megjithatë, ajo shtoi se pakti, i njohur si AUKUS, "nuk ndryshon asgjë për Zelandën e Re" në marrëdhëniet me këto vende.
"Sigurisht, nëndetëset nuk mund të hyjnë në ujërat tona. Ky është qëndrimi i mbajtur nga të gjitha partitë (politike)", iu përgjigj Ardern një pyetjeje.
Ajo tha se homologu i saj australian, Scott Morrison "e kupton shumë mirë" qëndrimin e Zelandës së Re mbi armët bërthamore dhe nëndetëset me energji bërthamore.
Britania e Madhe, SHBA-ja dhe Australia kanë shpallur paktin e sigurisë në Indo-Paqësor, pasi Kina po bëhet gjithnjë e më këmbëngulëse në rajon.
Secili nga udhëheqësit e kombeve në një konferencë të përbashkët për media thanë se flota e Australisë që pritet të krijohet nuk do të fuqizohet nga reaktorët bërthamorë dhe do të armatoset me municione konvencionale.
"Më lejoni të jem i qartë, Australia nuk po kërkon të marrë armë bërthamore apo të krijojë një aftësi bërthamore civile. Ne do të vazhdojmë të përmbushim të gjitha detyrimet tona të mospërhapjes bërthamore", tha kryeministri australian Morrison në një video-konferencë përkrah presidentit amerikan, Joe Biden dhe kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar, Boris Johnson.
Më parë, Australia arriti marrëveshje miliarda dollarëshe me Francën për të ndërtuar 12 nëndetëse me energji konvencionale. Me paktin e ri, ajo marrëveshje duket se ka përfunduar.
Franca këtë zhvillim e ka përshkruar "në kundërshtim me dokumentin dhe frymën e bashkëpunimit që mbizotëronte midis Francës dhe Australisë".
Por, presidenti Biden tha se SHBA-ja "mezi pret të punojë me Francën dhe vendet e tjera kryesore derisa ecim përpara".
"Franca, në veçanti, tashmë ka një prani të konsiderueshme në Indo-Paqësor dhe është një partner dhe aleat kyç në forcimin e sigurisë dhe prosperitetit të rajonit", tha Biden.
AUKUS, shtoi Biden, "do të rrisë aftësinë tonë të përbashkët për të përballuar kërcënimet e shekullit 21".
Sipas një deklarate të përbashkët, pakti po ashtu do të rrisë bashkëpunimin trepalësh në sigurinë kibernetike, inteligjencën artificiale, teknologjitë kuantike dhe aftësinë e tjera nënujore.