Hakan Çopur
11 Qershor 2019•Përditësim: 11 Qershor 2019
Sekretari i Shtetit i SHBA-ve, Mike Pompeo u ka premtuar liderëve hebrenj se nuk do të presë zgjedhjet që të marrë masa ndaj kreut të Partisë Laburiste në Britani, Jeremy Corbyn, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në artikullin e gazetës amerikane "Washington Post", të bazuar në regjistrimin e zërit gjatë një takimi mes Pompeos dhe liderëve hebrenj në New York, pretendohet se Pompeo është përfshirë në deklarata në lidhje me politikën britanike.
Thuhet se Pompeo ka thënë se ai do të ofrojë ndihmë për grupet hebreje në lidhje me këtë situatë edhe në rast se lideri i Partisë Laburiste në Britani, Jeremy Corbyn fiton zgjedhjet.
- "Po u realizua kjo, hapat e mëpasshëm janë shumë të vështirë"
"Z. Corbyn mund të zgjidhet, kjo është e mundur. Por, duhet ta dini se ne do të bëjmë më të mirën e mundshme pa pritur që ai të reagojë (ndaj grupeve hebraike). Sepse kjo situatë po ndodhi njëherë, (hapat) më pas do të jenë shumë të rrezikshëm dhe shumë të vështirë", ka deklaruar Pompeo në takimin në fjalë.
Corbyn, lideri i opozitës kryesore në Britani të Madhe është akuzuar disa herë se është antisemitik, është i njohur pasiqë ka protestuar kundër shumë praktikave të administratës së SHBA-ve dhe Donald Trumpit. Corbyn nuk mori pjesë në shumë ftesa në vizitat e fundit të Trumpit në Britani.
Disa organizata hebraike në Britani kanë akuzuar Corbyn për tolerime ndaj antisemitizmit dhe kanë protestuar kundër tij. Corbyn ka mohuar akuzat dhe ka premtuar se do të rriste ndjeshmërinë e tij në këtë çështje.
Komisioni për barazinë dhe të drejtat e njeriut, autoriteti përkatës mbikëqyrës në vend, muajin e kaluar filloi një hetim në lidhje me atë nëse është apo jo e përfshirë Partia Laburiste në veprime antisemitike.