Prej 50 vitesh në punishten e vogël, një jetë kushtuar prodhimit të thikave
Në Antalya, Mehmet Sakar, 63-vjeç, prodhon thika në dyqanin rreth 10 metra katrorë që e trashëgoi nga babai
Tahsin Küçükkaraca
19 shtator 2026•Përditësim: 19 shtator 2026
photo: Bahriye Yıldırım / AA
Antalya
Mehmet Sakar, 63-vjeç, i cili prej 50 vitesh ushtron zanatin e thikëbërësit në Antalya, me thikat që prodhon me metoda tradicionale jo vetëm po ruan trashëgiminë profesionale të familjes së tij, por edhe përpiqet ta përcjellë te brezat e ardhshëm këtë zanat që rrezikon të harrohet, raporton Anadolu.
Mehmeti, i cili që në fëmijëri u interesua për zanatin e thikëbërjes të trashëguar nga paraardhësit e tij, nisi të merrej me këtë profesion në moshën 13-vjeçare në punishten e babait.
Mjeshtri prodhon dhe mpreh thika në dyqanin rreth 10 metra katrorë në Çarshinë e Farkëtarëve, të cilin e trashëgoi nga babai, duke ndërthurur metodat tradicionale me ato moderne.
Për Anadolu ai tha se e kishte nisur zanatin në kushte të vështira dhe me mundësi të kufizuara, duke theksuar se babai i tij ishte njëkohësisht mjeshtri dhe mësuesi i tij.
Duke theksuar se përpiqet ta mbajë gjallë zanatin e thikëbërjes që e trashëgoi nga gjyshi dhe babai dhe se e ushtron me dashuri, ai tha: “Prej 50 vitesh e vazhdoj zanatin e thikëbërjes. Dikur kishte shumë njerëz që merreshin me këtë zanat, por tani kemi mbetur shumë pak. Tashmë as ndihmës nuk ka. Me përparimin e teknologjisë dhe kalimin e prodhimit në fabrika, puna jonë u pakësua. Pas meje nuk ka askush që do ta vazhdojë këtë zanat. Dua që zanati ynë të vazhdojë të jetojë".
Mjeshtri Mehmet tregoi se prodhimi i një thike është një proces i mundimshëm.
Ai tha se për të prodhuar një produkt cilësor, çeliku kalon nëpër shumë faza, nga përzgjedhja dhe ngrohja, deri te farkëtimi dhe mprehja, duke shtuar se i duhen të paktën 15 ditë për të prodhuar një thikë të punuar me dorë.
Duke thënë se prodhimi i thikave për të nuk është vetëm një mënyrë për të siguruar jetesën, mjeshtri Mehmet u shpreh se këtë zanat e sheh edhe si një trashëgimi të mbetur nga familja e tij.
“Nëse punon dhe jep mund, ka bukë. Unë dua ndihmës 14, 15, 16-vjeç. Ata që janë më të mëdhenj nuk mund t’i përkul apo t’i edukoj. Nëse sot tek unë do të vinte fëmija i një familjeje në nevojë, do ta bëja mjeshtër të vërtetë. Ai do të mund ta ushtronte këtë zanat kudo në Turqi dhe të siguronte mirëmbajtjen e familjes", tha Mehmet Sakar.
Prej 50 vitesh në punishten e vogël, një jetë kushtuar prodhimit të thikave