Ekip
30 Janar 2021•Përditësim: 31 Janar 2021
Në përpjekjet e fundit për të provuar që të zgjidhë ngërçin politik të Italisë, udhëheqësi i kombit i kërkoi kryetarit të Dhomës së Ulët të shqyrtojë mundësinë për të ringjallur koalicionin qeverisës të shembur, duke ndërmjetësuar midis palëve në konflikt, raporton Anadolu Agency (AA).
Pas tri ditësh konsultimesh me udhëheqësit e partive italiane, presidenti Sergio Mattarella dërgoi Roberto Fico-n të premten për të verifikuar nëse ka shans për arritjen e shumicës parlamentare të mjaftueshme për të mbështetur qeverinë e re të koalicionit. Mattarella i kërkoi Fico-s që t'i raportonte të martën.
"Është e nevojshme të krijojmë një qeveri sa më shpejt të jetë e mundur, me mbështetje të përshtatshme parlamentare", u tha Mattarella gazetarëve në Pallatin Quirinale, duke theksuar se Italia po përballet me një emergjencë të trefishtë, duke kaluar një krizë sanitare, sociale dhe ekonomike.
Italia u zhyt në një krizë të papritur qeveritare në fillim të këtij muaji pasi ish-kryeministri Matteo Renzi tërhoqi partinë e tij të vogël Italia Viva nga koalicioni qeverisës, duke e hequr atë nga shumica tashmë e brishtë në Senat.
Kjo e detyroi kryeministrin Giuseppe Conte të jepte dorëheqjen, duke shkaktuar zyrtarisht një krizë politike.
Renzi është përplasur vazhdimisht me Conte-n për trajtimin e tij të pandemisë COVID-19 dhe politikat e tij ekonomike, duke sulmuar planet e kryeministrit lidhur me shpenzimin e më shumë se 200 miliardë euro të parashikuara nga BE-ja për mbështetjen e ekonomisë së dëmtuar të Italisë.
Pas ndarjes së shumicës së tij me daljen e Renzi-t, Conte u përpoq që t'u afrohet deputetëve të pavarur dhe të opozitës për të zëvendësuar senatorët e Italia Viva-s, por nuk ia doli dhe u detyrua të tërhiqej për të shmangur një disfatë në parlament.
Tani, nëse Conte dëshiron të marrë mandatin e tretë për formimin e qeverisë së re, ai duhet të kërkoj përsëri ndihmën e Renzi-t, gjë që e bën misionin e tij pothuajse të pamundur.
Renzi, nga ana e tij, kurrë nuk ka përjashtuar një marrëveshje të mundshme me ish-partnerët e tij të koalicionit, i cili do të përfshinte Lëvizjen populiste Pesë Yje. Kjo e i fundit, pasi fillimisht bëri të qartë se nuk dëshironte të ketë asgjë me Renzi-n përsëri, në një hap të befasishëm të premten la derën hapur për një aleancë të mundshme, përfshirë Italia Viva-n.
Rikthimi, megjithatë, rrezikon përçarjen e lëvizjes, me një ndarje të thellë për një marrëveshje të mundshme me ish-kryeministrin, të cilin e ka quajtur "të papërgjegjshëm" për shkak të krizës.
Shanset reale të Conte-s për të fituar mandatin e tretë mbeten shumë të vogla, në vazhdën e kundërshtimit të Renzi-t dhe ashpërsisë personale midis të dyve.
Kjo e bënë jashtëzakonisht sfiduese misionin e Fico-s në përpjekjen e tij për të formuar një shumicë të mundshme parlamentare.
Nëse Fico arrin të ndërmjetësojë midis palëve të ngatërruara, Mattarella mund të vendosë të kërkojë një tjetër udhëheqës politik ose një teknokrat me një mbështetje më të gjerë parlamentare që të zëvendësojë Conte-n dhe të vijë në krye të një qeverie të re.
Nëse kjo rezulton e pamundur, e vetmja mundësi për presidentin do të ishte shpërndarja e parlamentit dhe shpallja e zgjedhjeve të parakohshme, një opsion që Mattarella e sheh të rrezikshëm, pasi Italia lufton për t'u përballur me valën e dytë të pandemisë dhe një recesion dramatik.