Ekip
30 Gusht 2016•Përditësim: 30 Gusht 2016
MEXICO CITY (AA) – Universiteti në të cilin presidenti i Meksikës, Enrique Pena Nieto, mori diplomën e juristit në vitin 1991, e pranoi se ish-studenti i tyre për punën e tij shkencore ka kopjuar tekste dhe ide pa cituar punën origjinale dhe autorët e atyre teksteve, raporton Anadolu Agency (AA).
Universiteti PanAmerikan njoftoi se mospërmendja e burimeve të teksteve nga Nieto në punën shkencore në atë kohë nuk ka shkelur rregullat universitare. Universiteti në njoftimin e tij nuk përdori termin “plagjiat”, por theksoi se puna shkencore përfshinë “riprodhim tekstual të punëve tjera pa fusnotë apo shënim në bibliografinë”.
Bëhet e ditur se presidenti meksikan ka përshkruar citatet dhe materialet, ndonëse ndonjëherë në mënyrë të paqartë.
Universiteti ka sugjeruar se me kohë rregullat janë ashpërsuar, por nënvizoi se “rregullat e përgjithshme të universitetit nuk kanë të bëjnë për ish-studentët”.
“Ky rast është vjetëruar dhe nuk mund të jetë lëndë e çfarëdo aksioni”, thuhet në njoftim.
Javën e kaluar mediat transmetuan se 29 përqind e punës shkencore të presidentit meksikan përbëhet nga materiale të marra nga punime të tjera, duke përfshirë edhe 20 paragrafe nga libri që ka shkruar ish-presidenti i Meksikës, Miguel de la Madrid.