Burç Eruygur
03 maj 2023•Përditësim: 04 maj 2023
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy mohoi përfshirjen e Kievit në një sulm me dronë në rezidencën e Kremlinit në kryeqytetin rus Moskë më herët gjatë ditës, transmeton Anadolu.
“Ne nuk sulmojmë (presidentin rus Vladimir) Putinin ose Moskën. Ne po luftojmë në territorin tonë dhe po mbrojmë fshatrat dhe qytetet tona. Nuk e kemi sulmuar Putinin. Këtë çështje do t’ia lëmë gjykatës”, tha Zelenskyy në një konferencë të përbashkët shtypi gjatë Samitit Nordik në kryeqytetin finlandez Helsinki.
Sekretari i shtypit i Zelenskyyt, Serhii Nykyforov, mohoi gjithashtu përfshirjen e Ukrainës në incident, të cilin presidenca ruse e quajti përpjekje “terroriste” nga Kievi, duke thënë se vendi drejton “të gjitha forcat dhe fondet në dispozicion për çlirimin e territoreve të veta, dhe jo për sulm ndaj të huajve”.
Rusia pretendoi më herët se Ukraina u përpoq të godiste rezidencën e Kremlinit me dy dronë, të cilët tha se u rrëzuan.
“Ne i konsiderojmë këto veprime si akt i planifikuar terrorist dhe tentativë ndaj presidentit (Vladimir Putin), të kryer në prag të Ditës së Fitores, Paradës së 9 Majit, në të cilën është planifikuar prania e mysafirëve të huaj”, tha Kremlini.
Ai shtoi se Putin nuk u lëndua nga sulmi i supozuar dhe se pala ruse rezervon “të drejtën për të marrë masa hakmarrëse ku dhe kur e sheh të arsyeshme”.
Pas lajmit për tentativën e sulmit, Moska ndaloi fluturimet me dron në kryeqytet.