Ömer Tuğrul Çam
21 Prill 2023•Përditësim: 22 Prill 2023
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, njoftoi se presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy do të marrë pjesë në Samitin e NATO-s që do të mbahet më 11-12 korrik në kryeqytetin e Lituanisë, Vilnius, raporton Anadolu.
Stoltenberg iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve përpara takimit të Grupit të Kontaktit të Mbrojtjes së Ukrainës, të organizuar nga SHBA-ja, në bazën ajrore Ramstein në Gjermani.
Ai rikujtoi se dje e ka vizituar Ukrainën për herë të parë pasi Rusia e sulmoi Ukrainën më 24 shkurt 2022, duke potencuar se në takimin e tij me Zelenskyyn i ka përcjellë mesazhin se do ta mbështesin Ukrainën deri në fund.
"Me presidentin Zelenskyy gjithashtu biseduam rreth përgatitjeve të samitit të NATO-s që do të mbahet në Vilnius në korrik. E ftova atë në mbledhjen e samitit. Ndihem i lumtur që e pranoi ftesën time dhe do të marrë pjesë në samit", tha Stoltenberg.
Duke kujtuar se vendet e NATO-s në Samitin e Bukureshtit në vitin 2008 kanë vendosur që Ukraina në të ardhmen të bëhet anëtare e NATO-s, ai tha se me Zelenskyyn kanë diskutuar çështjen e vendit të tij në NATO si dhe garancitë e sigurisë.
"Një ditë, kur kjo luftë të përfundojë, ne duhet të sigurojmë që historia të mos përsëritet, që Rusia të mos luftojë më kundër Ukrainës, që të mos shkatërrojë sigurinë evropiane. Prandaj, duhet të diskutojmë një kornizë të sigurisë", u shpreh ai.
Stoltenberg gjithashtu rikujtoi se në vizitën e tij të djeshëm në Kiev, ka dhënë mesazhin se "vendi i merituar i Ukrainës është NATO", duke theksuar se Ukraina duhet të vazhdojë të ekzistojë si një vend sovran dhe i pavarur dhe për këtë NATO duhet të vazhdojë ta mbështesë atë.