Mücahit Enes Sevinç
06 tetor 2026•Përditësim: 06 tetor 2026
Java e Inovacionit të Turqisë "Türkiye Innovation Week 2026" (TIW26), një nga takimet më të mëdha të inovacionit në Turqi dhe rajon do të zhvillohet më 15-17 tetor në Qendrën e Kongreseve Haliç me temën “Humanity 6.0 – Etapa e re e njerëzimit”, raporton Anadolu.
Në prezantimin e aktivitetit, presidenti i Këshillit të Eksportuesve të Turqisë (TIM), Mustafa Gultepe tha se Turqia synon të jetë jo vetëm përdoruese, por edhe prodhuese e teknologjive të reja. "Ne duam të jemi jo vetëm përdorues të transformimit në të cilin ndodhemi, por edhe prodhues të tij. Ëndërrojmë një vend që zhvillon dhe eksporton teknologji", tha Gultepe.
Ai theksoi se Turqia është ngjitur me 23 vende në Indeksin Global të Inovacionit që nga viti 2013 dhe synon të përmirësojë më tej pozicionin e saj. Gultepe tha se kompanitë që eksportojnë produkte me markë kanë shpenzime më të larta për kërkim dhe zhvillim dhe më shumë patenta ndërsa pjesëmarrësit në programin InoSuit kanë një vlerë eksporti për kilogram mbi mesataren e Turqisë.
Zëvendëspresidenti i TIM-it, Kutlu Karavelioglu tha se TIW26 do të fokusohet këtë vit te njeriu dhe marrëdhënia e tij me teknologjinë, veçanërisht me inteligjencën artificiale. "Ne besojmë se pragun përpara të cilit ndodhemi duhet ta kalojmë së bashku, duke u përshtatur dhe bashkëpunuar me inteligjencën artificiale", tha Karavelioglu.
Ai bëri të ditur se në aktivitet do të marrin pjesë më shumë se 120 folës në nëntë fusha dhe skena të ndryshme, duke përfshirë përfaqësues të biznesit, të rinj, akademikë, shkencëtarë dhe artistë. Karavelioglu tha se TIW nuk është vetëm një aktivitet tre-ditor, por një platformë që pasqyron punën gjatë gjithë vitit në fushat e kërkim-zhvillimit, sipërmarrjes, inovacionit dhe qëndrueshmërisë.
Në takim morën pjesë edhe përfaqësues të partnerit kryesor strategjik Trendyol dhe partnerëve të tjerë strategjikë, përfshirë Ihracati Gelistirme AS, Turk Ticaret Bankasi, Turkiye Sigorta, Ziraat Bankasi, VakifBank, Halkbank dhe Dogus Teknoloji.