Agim Sulaj
17 Janar 2020•Përditësim: 19 Janar 2020
Në organizimin e Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, sot në Prishtinë është mbajtur konferenca vjetore e prokurorëve, raporton Anadolu Agency (AA).
Në këtë konferencë ku u shpalosën disa nga të arriturat, por edhe ngecjet si dhe planet për të ardhmen, kryeprokurori Lumezi tha se lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është element i rëndësishëm për rrugën evropiane të Kosovës.
“Gjatë vitit të kaluar, Prokuroria e Shtetit ka treguar përkushtim në trajtimin e rasteve të korrupsionit. Kemi zgjidhur 400 dosje penale me 771 persona. Gjithashtu kemi zgjedhur edhe 532 kallëzime penale me 712 persona, që kanë të bëjnë me krimet ekonomike dhe financiare”, theksoi Lumezi.
Ai tha se “Për trajtimin e korrupsionit në nivelin e lartë, kemi nevojë për njerëz profesionistë, të guximshëm, me integritet dhe të trajnuar që sigurisht ekzistojnë brenda sistemit prokurorial. Prandaj, ata prokurorë të rinj që i kanë këto atribute, pres që të avancohen në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës”.
Sipas Lumezit, reforma në sistemin e drejtësisë duhet të jetë e vazhdueshme dhe se vetëm “energjia e prokurorëve të rinj dhe përvoja e atyre të vjetër mund të sjellë forcim të sistemit prokurorial”.
Për shkak të nivelit të pakënaqshëm të besueshmërisë së qytetarëve në sistemin e drejtësisë, Lumezi tha se nuk mund ta konsiderojë vitin 2019 si vit të suksesshëm. E një nga elementet e mosbesueshmërisë, siç tha ai, është mosndëshkueshmëria.
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i cili mori pjesë në këtë konferencë, tha se sistemi prokurorial i Kosovës është një hallkë shumë e rëndësishme e sistemit të drejtësisë në Kosovë.
Thaçi tha se janë bërë dhe po bëhen reforma me qëllim të forcimit të sistemit prokurorial “më shumë se në çdo vend tjetër në rajon”. Megjithatë, ai tha se krimi i organizuar, korrupsioni, terrorizmi e dukuritë tjera negative, nuk duhet të kryhen vetëm si përmbushje e kushteve për liberalzimin e vizave për kosovarët, por për forcimin e shtetit.
“Këto punë, qoftë kundër korrupsionit, krimit të organizuar apo fenomenet e ekstremizmit apo terrorizmit, nuk duhet t’i kryeni vetëm për liberalizim të vizave, apo për integrime evropiane, por për forcimin e shtetit dhe ruajtjen e dinjitetit të qytetarëve”, theksoi ai.
Sipas Thaçit, kushdo që flet për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe i lidhë tash me liberalizim të vizave e ka gabim. Ai tha se “lufta kundër krimit dhe korrupsionit duhet të vazhdojë, por Kosova për liberalizimin e vizave i ka përmbushur të gjitha kriteret”.
Gjatë vitit 2019, Prokuroria e Shtetit ka zgjidhur gjithsej 79.803 dosje penale të natyrave të ndryshme. Gjithashtu gjatë këtij viti 93.57 për qind e aktakuzave të ngritura nga prokurorët, kanë përfunduar me aktgjykime fajësuese.
Gjatë po këtij viti, Zyra për Mbrojtjen dhe Ndihmë të Viktimave ka ofruar shërbime dhe ndihmë për viktimat e krimit, ku gjatë vitit 2019 ka zgjidhur gjithsej 1567 raste të dhunës në familje, ngacmimit seksual, trafikimit të qenieve njerëzore dhe mundësimit të prostitucionit.