Seyit Aydoğan
07 Shkurt 2022•Përditësim: 08 Shkurt 2022
Protesta e kamionistëve kundër vaksinës që ka filluar më 29 janar dhe ende vazhdon në kryeqytetin e Kanadasë, Ottawa, është cilësuar si "trazirë mbarështetërore", raporton Anadolu Agency (AA).
Bordi i Policisë së Ottawa-s, në një takim për të vlerësuar situatën, ndodhitë i cilësoi si "trazirë mbarështetërore" si dhe Ottawa-n "një qytet nën rrethim" që ka mbet në mes të kësaj trazire.
"Jemi në ditën e 8-të të këtij pushtimi. Qyteti ynë është nën rrethim. Ky grup është inkurajuar nga mungesa e sanksioneve e qeverisë në të gjitha nivelet. Ky grup është kërcënim për demokracinë tonë. Ajo që shikojmë është më i madh se problemi i qytetit Ottawa. Kjo është një trazirë mbarështetërore. Një çmenduri. Kemi nevojë për një plan konkret për t'i dhënë fund kësaj", tha Drejtoresha e Bordit të Policisë së Ottawa-s, Diane Deans.
Ajo duke theksuar se protesta është shpërndarë në të gjitha qytetet e Kanadasë, tha se "Ne nuk mund të lejojmë që ky lloj terrorizmi në shoqërinë tonë të vazhdojë kështu".
Ministri i Sigurisë Publike: Askush nuk është mbi ligjin
Nga ana tjetër, ministri i Sigurisë Publike, Marco Mendicino, në deklaratën për një kanal televiziv, tha se "askush nuk është mbi ligjin", duke theksuar se ka nevojë për një zgjidhje paqësore.
Kryetari i Bashkisë së Ottawa-s, Jim Watson, duke theksuar se qendra e qytetit ka dalë nga kontrolli, njoftoi se kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme.