Zehra Ulucak
13 Shkurt 2017•Përditësim: 14 Shkurt 2017
MEKSIKË (AA) - Qindra mijëra njerëz në 20 qytete të ndryshme të Meksikës, kanë marshuar me flamuj të këtij vendi në duar, kundër Presidentit të SHBA-së, Doland Trump, duke i kërkuar atij që të tregojë respekt për meksikanët, raporton Anadolu Agency (AA).
Qytetarët hodhën slogane kundër Trump duke thënë: "Meksika nuk mund të mposhtet" dhe "Zhduku Trump".
Protestuesit i bënë thirrje Presidentit të Meksikës, Enrique Pena Nieto, të mbrojë të drejtat e qytetarëve të vendit kundër Trumpit. Ata protestuan projektin për ngritjen e murit në kufirin e Meksikës me SHBA-në dhe politikat e Trumpit për emigrantët.
Në një deklaratë për AA, një nga protestuesit dhe njëkohësisht, avokat në këtë vend, Emiliano Montes de Oca, tha: "Jemi këtu për të protestuar projektin e Trumpit për ndërtimin e murit në kufirin me Meksikën, si dhe për të mbrojtur të dretat e meksikanëve që jetojnë në SHBA".
Protestat e organizuara nga rreth 80 përfaqësues të shoqërisë civile, përfunduan pa ndonjë incident.