Canberk Yüksel
18 Janar 2017•Përditësim: 18 Janar 2017
ANKARA (AA) – Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ketegorikisht ka mohuar pretendimet se qeveria e tij posedon informacione komprometuese për presidentin e ri amerikan, Donald Trump, raporton Anadolu Agency (AA).
“Shikoni, unë nuk njihem me Trumpin, kurrë nuk e kam takuar atë. Unë nuk e di se çfarë do të bëjë ai në arenën ndërkombëtare, kështu që nuk kam asnjë arsye për të sulmuar atë apo për ta kritikuar për çfarëdo arsye”, deklaroi Putin gjatë një konference të përbashkët për mediat me presidentin e Moldavisë, Igor Dodon.
“Njerëzit të cilët bëjnë këso fabrikimesh të cilat tani i përdorin për të diskredituar presidentin e zgjedhur amerikan për të çuar përpara axhendën e tyre janë më të këqinjë se prostitutat”, tha Putin.
Të mërkurën e kaluar, edhe Trump përgënjeshtroi pohimet se Rusia posedon materiale komprometuese për të.
“Të gjitha janë gënjeshtra, lajme të rreme. Kjo nuk ka ndodhur”, tha Trump në konferencën e parë për mediat pas gjashtë muajsh.
CNN dhe organizata të tjera mediatike kanë raportuar se gjatë një takimi informativ në janar, shërbimet inteligjente amerikane i kanë paraqitur presidentit të zgjedhur dokumente që tregonin se Moska posedon të dhëna komprometuese për të.
Shërbimet e inteligjencës amerikane disa herë kanë akuzuar Putinin se ai personalisht ka dhënë urdhër për sulme kibernetike mbi personalitete të larta të SHBA-ve në mënyrë që kjo të ndikojë në rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të mbajtura në nëntor të vitit të kaluar.
Gjatë fushatës parazgjedhore si dhe pas zgjedhjes për president, Trump vazhdimisht ka shprehur synimin për marrëdhënie të mira me Rusinë duke lavdëruar udhëheqësin e saj.