Lokman İlhan
19 Qershor 2017•Përditësim: 20 Qershor 2017
BOGOTA (AA) – Pas sulmit me bombë të realizuar ditë më parë në një qendër tregtare në Kolumbi ku humbën jetën 3 persona, qendra tregtare ku u realizua sulmi u mbush me vizitorë, raporton Anadolu Agency (AA).
Presidenti i Kolumbisë, Juan Manuel Santos, kryetari i komunës së Bogotas, Enrique Penalosa, ambasadori i Francës në Bogota, Gautier Mignot si dhe qytetarë të shumtë të Kolumbisë vizituan vendin e sulmit, për t’i përkujtuar personat që humbën jetën në sulmin në qendrën tregtare.
Santos u takua me menaxherët e qendrës tregtare dhe vizitoi dyqanet brenda qendrës, ku pas së bashku me djemtë e tij vendosën lule në zonën përkujtimore, duke lënë mesazhet “Nuk ka ndonjë bombë e cila mund ta mundë një popull në bashkësi” dhe “Dua një botë ku dhuna ka mbaruar. Uroj durim për familjet e viktimave”.
Pas kësaj vizite, presidenti Santos në një deklaratë për mediat tha se përgjigjja më e mirë për terrorizmin është vazhdimi në jetën e përditshme.
Në anën tjetër, sipas lajmeve të mediave vendore, prej 8 personave të plagosur të cilët trajtoheshin nëpër spitale përreth, 7 janë larguar nga spitali. Ndërkaq trajtimi i njërit prej të plagosurve po vazhdon në njësinë e kujdesit intensiv.
Si pasojë e një shpërthimi të ndodhur në hapësirën ku është vendosur tualeti për femra, përkatësisht në katin e dytë të qendrës tregtare Andino në rajonin Chapinero, të kryeqytetit Bogota, humbën jetën 3 persona, në mesin e tyre edhe një shtetas i Francës.