Muhammet İkbal Arslan
30 Maj 2021•Përditësim: 31 Maj 2021
Votuesit në Administratën e Qipros Jugore Greke filluan të votojnë për të zgjedhur 56 anëtarët e rinj të parlamentit qipriot grek, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas lajmeve në shtypin qipriot grek, procesi i votimit ka filluar në orët e para të mëngjesit dhe do të zgjasë deri në orën 18:00 sipas kohës lokale. Rreth 558 mijë votues do të mund të votojnë në 1.176 vendvotime.
Sipas të dhënave të Bordit të Lartë të Zgjedhjeve të Qipros Greke, për 56 vendet në Parlament garojnë 658 kandidatë nga 15 parti politike ose si të pavarur.
Gjatë procesit të votimit votuesit do të përdorin stilolaps me ngjyrë të zezë ose të kaltër për të shënuar votën e tyre për partinë dhe kandidatin e partisë.
Në qendrat e votimit zbatohen masat e rrepta kundër koronavirusit të ri (COVID-19).
Votimi i liderit qipriot grek dhe krerëve të partive
Lideri i administratës së Qipros Greke, Nicos Anastasiades votoi në Limasol dhe u bëri thirrje të gjithë votuesve të votojnë.
Po ashtu kanë votuar edhe liderët e partive si kreu i Partisë Mobilizimi Demokratik (DISY) Averof Neofytou, sekretari i përgjithshëm i Partisë Progresive të Popullit Punëtor (AKEL), Andros Kyprianou dhe lideri i Partisë Demokratike (DIKO), Nikolas Papadopoulos.
Pritet që rezultatet e para jozyrtare të shpallen pas orës 19:00 ndërsa rezultatet përfundimtare zyrtare rreth orës 23:00.