Muhammet Nazim Tasci
27 Korrik 2019•Përditësim: 28 Korrik 2019
I vendosur në Uttar Pradesh, India veriore, Varanasi njihet si një nga qytetet më të vjetra me një histori të gjatë mbi 3.000 vjeçare, raporton Anadolu Agency (AA).
Qyteti, me një traditë dhe rite të ndryshme, mirëpret shumë pelegrinë hindu nga vendet dhe vise të ndryshme të botës, si dhe shumë turistë.
Ky qytet i shenjtë indian gjendet në brigjet e lumit Ganges. Qyteti me një trashëgimi të pasur historike, kulturore dhe fetare konsiderohet si më i shenjti nga shtatë qytetet e shenjta hindu.
Varanasi është një nga qytetet më të vjetra të populluar në botë, ndërsa vlerësohet se në të gjenden madje 23.000 tempuj në të cilat hyhet pa këpucë, ndërsa në kohën e disa solemniteteve hyrja e turistëve nëpër tempuj nuk lejohet.
Qyteti, i cili ka ruajtur vazhdimsinë e tij mijëra vjeçare, i ngjan një muzeu në të hapur, ndërsa e quajnë edhe “Banaras” dhe “Kishi”.
Hindusët besojnë se larja në Ganges të pastron nga të gjitha mëkatet dhe se vdekja në Varanasi sjell shpëtim. Prandaj, shumë besimtarë vijnë në këtë qytet për të vdekur.
Peligrinët para lindjes së diellit hyjnë në lumin Ganges dhe kryejnë ritualet fetare. Vlerësohet se mbi 60.000 njerëz lahen çdo ditë në brigjet e Ganges në Varanasi.