Ahmed al-Masri,Afra Aksoy,Zeynep Tüfekçi
12 Korrik 2017•Përditësim: 12 Korrik 2017
RIJAD (AA) - Arabia Saudite, Egjipti, Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) dhe Bahreini thanë se sanksionet dhe bllokada e Katarit do të vazhdojë derisa qeveria e atij vendi nuk i përmbush të gjitha kërkesat e bëra nga autoritetet e këtyre shteteve të Gjirit, raporton Anadolu Agency (AA).
Autoritetet e katër vendeve të Gjirit, në një deklaratë të përbashkët theksuan se kërkesat e vendosura për Katarin janë të justifikuara në kontekstin e një lufte më efikase kundër terrorizmit, si dhe, për të vendosur sigurinë në rajon.
Katari aktualisht është nën një bllokadë të plotë të imponuar nga shtetet e lartpërmendura të cilat e akuzojnë për mbështetje të terrorizmit, pohime këto që për Dohan zyrtare janë të pabaza.
Katari mohon edhe akuzat që kanë të bëjnë me pretendimet se ka ndërhyrë në punët e brendshme të vendeve të rajonit, ndërsa blloku pro-saudit, mbrëmë tha se do ti besojë qeverisë së Katarit vetëm nëse ajo krijon një mekanizëm të rreptë monitorimi.
Të martën, Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Katari nënshkruan një marrëveshje, qëllimi i së cilës është të përmirësohet lufta kundër terrorizmit në këtë vend të Gjirit.
Memorandumi për mirëkuptim është nënshkruar gjatë vizitës së Sekretarit amerikan të Shtetit, Rex Tillerson, në Doha.
Ai ndodhet në Gjirin Persik në misionin qëllimi i të cilit është dhënia fund e mosmarrëveshjeve mes Katarit dhe katër shteteve arabe të cilat Dohan e akuzojnë për "mbështetje të grupeve ekstreme". Katari këto akuza i mohon.