27 Gusht 2016•Përditësim: 27 Gusht 2016
ROMË (AA) – Autoritetet italiane njoftuan se numri i viktimave nga tërmeti shkatërrues, që goditi Italinë qendrore të mërkurën, është rritur në 284 persona. Bëhet e ditur se gjatë mbrëmjes janë gjetur tre kufoma në qytetin e shkatërruar Amatrice, raporton Anadolu Agency (AA).
Mbrojtja Civile informacionin për rritjen e numrit të të vdekurve e publikoi të shtunën në mëngjes, në ditën e zisë e cila për shkak të tragjedisë së madhe është shpallur në mbarë Italinë.
Numri më i madh i viktimave, 224 prej tyre janë nga Amatricea, ndërsa të tjerët janë nga qytetet e tjera që u goditën nga tërmeti.
Presidenti i Italisë, Sergio Mattarella, të shtunën vizitoi qytetin mesjetar i cili përjetoi shkatërrim të madh në tërmetin me magnitudë prej 6.2 ballë. Mattarella së bashku me Sergio Pirozzi, prefekt i Amatricea vizitoi disa lokacione të qytetit.
Presidenti u takua me ekipet e shpëtimit, të cilët që nga e mërkura në mëngjes punojnë në presion të kohës duke tentuar të gjejnë nën rrënoja të mbijetuar, por edhe ata që kanë humbur jetën.
Presidenti Mattarella, i cili të shtunën do të marrë pjesë në varrimin shtetëror të disa prej viktimave, është dërguar vetëm në periferi të qytetit, meqë hyrja në qendër për shkak të shkatërrimit, ishte shumë rrezik për të.