Muhammed Yasin Güngör
19 tetor 2026•Përditësim: 19 tetor 2026
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, hodhi poshtë të hënën pretendimet e presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy se Washingtoni kishte pezulluar përkohësisht shkëmbimin e inteligjencës me Kievin, transmeton Anadolu.
“Nuk ka pasur asnjë ndërprerje”, u tha Rubio gazetarëve, duke kundërshtuar drejtpërdrejt deklaratat e Zelenskyyt.
Rubio vuri në pikëpyetje arsyet përse presidenti ukrainas i kishte bërë publike këto pretendime, duke argumentuar se udhëheqësit duhet të përqendrohen te përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës.
“Nuk e di nga i merr këto informacione apo pse po ua thotë këto gjëra mediave”, tha Rubio.
I pyetur për ankesat e Ukrainës se Kievi nuk kishte marrë paralajmërime paraprake para se raketat balistike ruse të godisnin kryeqytetin gjatë natës, Rubio tha se nuk mund të komentonte operacionet më të fundit.
Ai tha se Komanda Evropiane e SHBA-së kishte shqyrtuar së fundmi një problem teknik në softuer, i cili kishte ndikuar në sistemet e paralajmërimit të hershëm disa ditë më parë.
Mohimi i Rubios erdhi pas deklaratave të Zelenskyyt të dielën, gjatë një interviste për NBC News.
Sipas Zelenskyyt, shkëmbimi i inteligjencës ishte ndërprerë për një periudhë gjatë sulmeve ruse me raketa balistike, përpara se autoritetet amerikane të rikthenin kanalin e transmetimit.