Betül Yürük
03 Nëntor 2017•Përditësim: 03 Nëntor 2017
KOMBET E BASHKUARA (AA) - Rusia kërkon nga misioni i Kombeve të Bashkuara (OKB), i cili ka hetuar përdorimin e armëve kimike në Siri, për të rivlerësuar rezultatet e raportit, që tregon se regjimi i Asadit ka përdorur armë kimike në rajonin Han Shejhun të Idlibit më 4 prill, raporton Anadolu Agency (AA).
Rusia pasi më 24 tetor vendosi veton ndaj projektrezolutës së përgatitur nga SHBA-ja, duke kërkuar shtyrjen e mandatit të misionit të përbashkët hetimor (JIM), i cili u formua nga OKB dhe Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike (OPCW), ajo ka paraqitur në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB) një projektrezolutë tjetër.
Në draftin e saj, Rusia ka paraqitur kërkesat për, "zgjatjen e afatit të misionit të OKB-së edhe për 6 muaj", "dërgimin e një ekipi në Han Shejhun sa më shpejt që të jetë e mundur për të kryer një hetim të gjerë me metodat e nevojshme", "dërgimin urgjent të një ekipi tjetër në rajonin Shajrat për të provuar se në bazën ajrore Shajrat është fshehur gazi sarin që pretendohet se është përdorur në Han Shejhun" dhe "rivlerësimin me provat e mbledhura" të rezultatit të raportit që JIM ka vërtetuar se regjimi i Asadit ka përdorur armët kimike në Han Shejhun të Sirisë më 4 prill.
Edhe SHBA-ja ka paraqitur një draft në KS-OKB
Ndërkohë, edhe SHBA-ja ka paraqitur një draft tjetër në KS-OKB kundër draftit të paraqitur nga Rusia, ku ajo kërkon zgjatjen me 2 vite të afatit të misionit JIM. Misioni i OKB-së në raportin e tij të paraqitur më 26 tetor KS-OKB-së kishte deklaruar se sulmi me armë kimike në Han Shejhun ku humbën jetën 100 persona është kryer nga regjimi i Sirisë dhe se në sulm është përdorur gaz sarin.