Ali Cura
24 Dhjetor 2021•Përditësim: 25 Dhjetor 2021
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se muajin e ardhshëm Rusia pret përgjigje nga SHBA-ja lidhur me çështjen e garancive të sigurisë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ai tha se SHBA-ja dhe aleatët e saj zhvillojnë "veprime armiqësore" kundër Rusisë. "Zhvillojnë manovra shumë të hapura. Në afërsi të kufijve tanë kryejnë stërvitje ushtarake, fluturime zbuluese dhe transport të anijeve. Të gjitha këto shkaktojnë shqetësim të thellë dhe na detyrojnë që ne të marrim masa të caktuara për të garantuar sigurinë tonë", tha Peskov.
Peskov vuri në dukje se në muajin janar të vitit të ardhshëm presin të marrin përgjigje nga Washingtoni për uljen e tensioneve dhe propozimeve për garancitë e sigurisë dhe se shpresojnë që të marrin përgjigje konkrete për propozimet e formuluara në draft-tekst.
- "Vendet e NATO-s që i kuptojnë shqetësimet e Rusisë mund të kontribuojnë në proces"
Peskov tërhoqi vëmendjen se vendet e NATO-s që kanë prirje për të marrë në konsideratë shqetësimet e Rusisë mund të kontribuojnë pozitivisht për negociatat e garancive të sigurisë që Moska ka propozuar.
"Vendet e NATO-s kanë pozicione të ndryshme. Ka vende që mbajnë qëndrim jashtëzakonisht armiqësor ndaj nesh. Përkundër kësaj ka vende që janë të prirura për vazhdimësi të dialogut, që ndjekin politikë për zgjidhjen e të gjitha problemeve në mënyrë diplomatike dhe t'i marrin në konsideratë këto. Vende të tilla mund të kontribuojnë shumë pozitivisht në këtë proces", tha ai.
Duke theksuar se nuk ka ardhur ndonjë përgjigje nga vendet e NATO-s lidhur me propozimet e Rusisë për garancitë e sigurisë, Peskov tha se ende nuk është e qartë data e bisedimeve në çështjen e garancive të sigurisë. Sipas tij, në këto bisedime Moska do të përfaqësohet nga zv/ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergey Ryabkov.
- Rusia është e gatshme për dialog të drejtpërdrejt me NATO-n
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova njoftoi se janë të gatshëm për dialog të drejtpërdrejt me NATO-n.
"Me përjashtim të zgjerimit të mëtejshëm të Aleancës drejt lindjes dhe vendosjes së sistemeve të armëve sulmuese pranë kufijve të rusë, ne përsërisim se jemi të gatshëm për dialog të drejtpërdrejt me NATO-n mbi projekt-marrëveshjet për garancitë e sigurisë ndaj Rusisë", tha Zakharova.
Ajo konfirmoi se Moska ka marrë nga Brukseli propozim për mbledhjen e Këshillit Rusi-NATO për të biseduar situatën në Ukrainë dhe shtoi se po vlerësohet se si do të bëhet kjo në praktikë.
Duke rikujtuar se Rusia ka pezulluar aktivitetet e saj në NATO, Zakharova tha: "Një takim i mundshëm në kuadër të Këshillit Rusi-NATO do të përcaktohet duke marrë në konsideratë formatin, mënyrat, kohën dhe të gjitha këto kushte. Por ashtu sikur e shpreha jemi të gatshëm për dialog".