Ali Cura
24 Mars 2022•Përditësim: 24 Mars 2022
Zëdhënësi i Ministrisë ruse të Mbrojtjes, Igor Konashenkov pretendon se njësitë ushtarake ruse kanë marrë kontrollin e qytetit Izyum në rajonin e Kharkivit të Ukrainës, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ai theksoi se ushtria ruse vazhdon të përparojë në Ukrainë.
"Mëngjesin e sotëm ushtria ruse mori kontrollin e qytetit Izyum në rajonin e Kharkivit", tha Konashenkov.
Sipas tij, ata përdorën armë me precizitet të lartë me rreze të gjatë për objektivat në afërsi të Kievit, kryeqytetit të Ukrainës.
"13 sisteme raketore të mbrojtjes ajrore u shkatërruan, përfshirë katër Buk-M1 dhe nëntë S-300 në jug të Danilovka dhe Kiev", tha Konashenkov.
Duke theksuar se gjatë natës u goditën 60 objektiva ushtarakë të ushtrisë ukrainase, Konashenkov tha se mes tyre ishin dy qendra komanduese, dy raketahedhëse me shumë tytë, 47 automjete ushtarake dhe një hapësirë ku mbaheshin armët.
Përveç kësaj, Konashenkov deklaroi se ata rrëzuan dy dronë pranë Kharkivit dhe Stara Markovka.
"Deri më tani janë shkatërruar 257 dronë të ushtrisë ukrainase, 202 sisteme raketore të mbrojtjes ajrore, 1.572 tanke dhe automjete të blinduara. Janë shkatërruar 633 raketahedhës si dhe 633 obusë dhe mortaja", tha ai.