Elena Teslova
26 Mars 2019•Përditësim: 26 Mars 2019
Rusia ka paralajmëruar se vendimi i presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, për njohjen e kontrollit izraelit mbi Lartësirat e pushtuara siriane në Golan do të ketë pasoja negative për stabilitetin në Lindjen e Mesme, raporton Anadolu Agency (AA).
“Një vendim i tillë ka qartë pasoja negative nga pikëpamja e procesit të zgjidhjes në Lindjen e Mesme dhe nga pikëpamja e atmosferës së përgjithshme në zgjidhjen politike në Siri. Askush nuk dyshon”, u tha gazetarëve zëdhënësi presidencial rus, Dmitry Peskov.
Ai shprehu keqardhje për këtë lëvizje të Trumpit, duke theksuar se ky është “një hap tjetër i Washingtonit që shkel haptazi të drejtën ndërkombëtare".
Të hënën, Trump nënshkroi një deklaratë presidenciale me të cilën zyrtarisht njohu Lartësitë e Golanit si territor izraelit.
Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) qartë tha se statusi ligjor i Golanit do të mbetet i pandryshuar pavarësisht nga njoftimi i Trumpit dhe se sipas ligjit ndërkombëtar ende do të konsiderohet “territor i pushtuar”.
Izraeli pushtoi Lartësitë e Golanit nga Siria gjatë Luftës Arabo-Izraelite të vitit 1967.
Shteti i vetëshpallur hebre vazhdon t’i mbajë nën pushtim dy të tretat e rajonit më të gjerë të Lartësirave të Golanit, të cilat në vitin 1981 i aneksoi zyrtarisht në një masë të refuzuar njëzëri në atë kohë nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së.