Dmitri Chirciu
31 Gusht 2020•Përditësim: 01 Shtator 2020
Ministria e Jashtme e Rusisë ka marrë vendimin për të dëbuar nga vendi 3 diplomatë që punojnë në ambasadën e Sllovakisë në Moskë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë me shkrim ministria ruse ka rikujtuar se Sllovakia ka dëbuar më parë 3 diplomatë rusë.
Ky nuk është një hap "miqësor" vihet në dukje në deklaratën në të cilën thuhet se ambasadori i Sllovakisë në Moskë, Peter Priputen, është thërritur në ministri.
"Pala ruse, në kuadrin e reciprocitetit ka marrë vendimin për të dëbuar 3 diplomatë që punojnë në ambasadën e Sllovakisë në Moskë", njoftohet në deklaratë.
Ministria e Jashtme e Sllovakisë, më 10 gusht kishte njoftuar për vendimin e saj për të dëbuar nga vendi 3 diplomatë rusë.
Gjithashtu edhe Çekia më 6 qershor dëboi 2 diplomatë rusë me dyshimin për "spiunazh".
Ndërkohë, Ministria e Jashtme e Norvegjisë më 18 gusht mori vendimin për dëbimin e një diplomati rus, ndërsa edhe Ministria e Jashtme austriake më 24 gusht kërkoi largimin deri më 1 shtator të një diplomati rus me arsyetimin "se ka kryer spiunazh në fushën e ekonomisë".