Sena Güler
15 Nëntor 2019•Përditësim: 15 Nëntor 2019
Sipas burimeve lokale, Rusia duke mbështetur regjimin e Bashar al-Assadit në Siri është vendosur në dy baza në Ayn al-Arab të boshatisura më parë nga ushtarët amerikanë, raporton Anadolu Agency (AA).
Rusia u vendos në bazat Sarrin dhe Sabit në lindje të lumit Eufrat, të vendosura në qarkun verior Ayn al-Arab, i njohur po ashtu si Kobani.
Sipas informacioneve të AA-së të siguruara nga burime lokale, bazat më parë u evakuuan nga SHBA-të gjatë operacionit “Burimi i Paqes”, ofensivës kundër-terroriste të Turqisë në veri të Sirisë.
Pas evakuimit të bazave, forcat amerikane u rivendosën në bazën Sarrin pasi Turqia pauzoi operacionin, por të mërkurën ajo përsëri evakuoi bazën.
Bazat ndodhen rreth 30 kilometra në jug të kufirit turko-sirian.
I nisur më 9 tetor, operacioni “Burimi i Paqes” synon të eliminojë elementët terroristë të YPG/PKK-së nga Siria veriore në lindje të lumit Eufrat në mënyrë që të ndihmojë në kthimin e sigurt të refugjatëve sirianë dhe të garantojë integritetin territorial të Sirisë.
Më 17 tetor, Ankaraja u pajtua me Washingtonin të pauzojë operacionin e saj për të lejuar terroristët e YPG/PKK-së të tërhiqen nga zona e sigurt e planifikuar.
Më 22 tetor, Ankaraja dhe Moska arritën një marrëveshje sipas të cilës YPG/PKK-ja të tërhiqet 30 kilometra në jug nga kufiri i Turqisë me Sirinë, ndërsa forcat e sigurisë turke dhe ruse të kryejnë patrullime të përbashkëta.
Në fushatën e saj terroriste mbi 30-vjeçare kundër Turqisë, PKK-ja e listuar si një organizatë terroriste nga Turqia, SHBA-të dhe Bashkimi Evropian (BE), ka qenë përgjegjëse për vdekjen e 40 mijë personave, përfshirë shumë gra, fëmijë e foshnje. YPG-ja është dega siriane e PKK-së.