Darren Lyn
17 korrik 2026•Përditësim: 17 korrik 2026
Furnizuesi i sallatës jeshile "Taylor Farms" është identifikuar si burimi i mundshëm i një shpërthimi parazitar që ka sëmurë mijëra klientë të restoranteve "Taco Bell" në SHBA, transmeton Anadolu.
Sipas një raporti të publikuar nga "The Washington Post", Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) e kanë lidhur prodhuesin "Taylor Farms" me sallatën jeshile të grirë të furnizuar për restorantet "Taco Bell", kryesisht në zinxhirët e ushqimit të shpejtë në pjesën juglindore të shtetit të Miçiganit, gjë që ka çuar në sëmurjen e mbi 4.300 klientëve pasi konsumuan ushqim në këto restorante.
Shpërthimi i ciklosporiazës ka bërë që të paktën 100 prej këtyre klientëve të shtrohen në spital deri të enjten.
Derisa Miçigani ka raportuar shumicën e rasteve të kësaj sëmundjeje parazitare, edhe shtetet Kentaki, Ohajo dhe Virxhinia Perëndimore kanë raportuar raste të personave që janë sëmurë pasi kanë ngrënë në restorantet "Taco Bell".
Megjithëse këto janë shtetet kryesore që kanë raportuar rastet e sëmundjes, sipas gazetës, raste të mundshme janë raportuar në të paktën 34 shtete.
Sipas gazetës, fakti që CDC-ja ka identifikuar një lidhje të mundshme mes rasteve të ciklosporiazës në këto katër shtete përbën "treguesin më të qartë publik deri më tani se shumë prej rasteve të sëmundjes lidhen me një burim të përbashkët".
Një zyrtar i lartë i Administratës Amerikane për Ushqimin dhe Barnat (FDA) tha më herët gjatë kësaj jave se hetimi i institucionit përfshin disa produkte bujqësore dhe jo vetëm sallatën jeshile.
"Sinjali që kemi marrë është se një përqindje shumë e lartë e personave që u sëmurën kishin ngrënë në 'Taco Bell' dhe kur hetuesit i pyetën se cilat artikuj të menusë kishin të përbashkët, sallata jeshile u përmend shpesh", tha zyrtari i FDA-së.
Kur FDA pyeti "Taco Bell"-in se nga e siguronte sallatën jeshile, zyrtari tha se furnizues ishte "Taylor Farms", kompani që furnizon me produkte bujqësore restorante në disa shtete. CDC-ja, FDA-ja, "Taylor Farms" dhe "Taco Bell" nuk iu përgjigjën kërkesës nga gazeta amerikane për koment lidhur me shpërthimin e infeksionit parazitar.
Megjithatë, "Taco Bell Corp." tha më herët gjatë kësaj jave se do të vazhdojë të monitorojë situatën dhe të ndjekë udhëzimet e autoriteteve shëndetësore.
"Shëndeti dhe siguria e klientëve tanë janë prioriteti ynë kryesor", thuhet në deklaratën e kompanisë, duke shtuar se "restorantet 'Taco Bell' kanë hequr vullnetarisht dhe përkohësisht disa përbërës të kufizuar në restorante të përzgjedhura si masë paraprake".