Emre Aytekin
01 Shkurt 2023•Përditësim: 01 Shkurt 2023
Sekretari Amerikan Mbrojtjes, Lloyd Austin, pas vizitës së Koresë së Jugut, sot qëndron në vizitë në Filipinet, transmeton Anadolu.
Në ditën e parë të vizitës së tij dy-ditore, Austin vizitoi njësitë ushtarake në qytetin jugor Zamboanga dhe u takua me zyrtarë të ushtrisë së Filipineve.
Austin kreu hetime në kampin ushtarak, ku ndodhet një staf ushtarak amerikan prej rreth 100 personash, të cilët ofrojnë inteligjencë dhe mbështetje taktike për operacionet e ushtrisë së Filipineve kundër organizatës Abu Sayyaf të lidhur me ISIS-in.
Austin, i cili nesër do të takohet me homologun e tij të Filipineve, Carlito Galvez Jr. dhe me këshilltarin e Sigurisë Kombëtare Eduardo Ano, pritet të bëjë kërkesa për të rritur praninë ushtarake të SHBA-së për të balancuar ndikimin në rritje të Kinës në Tajvan dhe Detin e Kinës Jugore.
SHBA kanë qasje në 5 baza ushtarake në Filipine sipas Marrëveshjes së Bashkëpunimit të Shtuar të Mbrojtjes të vitit 2014. Washingtoni dëshiron të vendosë më shumë trupa në bazat në ishullin Luzon dhe në bregun veriperëndimor, të cilat kanë pamje nga Tajvani dhe Deti i Kinës Jugore.
Deti i Kinës Jugore ka qenë objekt i mosmarrëveshjeve për sovranitetin midis vendeve të rajonit që nga Lufta e Dytë Botërore, kur vendet bregdetare fituan pavarësinë e tyre.
Kina pretendon sovranitetin e mbi 80 për qind të Detit të Kinës Jugore me hartën që botoi për herë të parë në vitin 1947, ndërsa Filipinet, Vietnami, Brunei dhe Malajzia gjithashtu kanë pretendime mbi territorin i cili është i pasur me burime nëntokësore.
SHBA dhe vendet në rajon kundërshtojnë ndërtimin e bazave kineze në ishujt e diskutueshëm në rajon dhe praninë e saj me flota të anijeve civile, si dhe kapacitetin e saj ushtarak.
Nga ana tjetër, edhe vendet e rajonit janë të shqetësuara për efektet e një konflikti të mundshëm në Tajvan.