Büşra Selvi Öğütcen
20 Janar 2021•Përditësim: 20 Janar 2021
Një ushtar amerikan është arrestuar në shtetin federal Georgia të SHBA-së me akuzën për ndihmë ndaj organizatës terroriste DEASH, transmeton Anadolu Agency (AA).
Zëdhënësi i Prokurorisë federale në Manhattan, Nicholas Biase, në një deklaratë njoftoi se ushtari Cole James Bridges u arrestua për sigurimin e mbështetjes financiare ndaj DEASH-it dhe planifikim të vrasjes së ushtarëve amerikanë.
Biase ndau informacionin se 20-vjeçari Bridges i cili njihet si Cole Gonzales ishte me detyrë në divizionin e 3-të të këmbësorisë në qytetin Fort Stewart në Georgia dhe se ka komunikuar në internet me DEASH-in rreth planeve terroriste.
Biase ka bërë të ditur se një zyrtar nga Byroja Federale e Hetimeve (FBI) ka biseduar në internet me Bridges duke e prezantuar veten si anëtar të DEASH-it dhe se ushtari ndaj këtij personi ka siguruar udhëzime të detajuara mbi taktikat, udhëzimet dhe rekomandimet rreth sulmit ndaj memorialit "11 Shtatori" në New York dhe për objektiva të tjera.
Në dosjen hetimore ndaj Bridges mësohet se ai ka ndarë me zyrtarin e FBI-së udhëzuesin trajnues dhe udhëzuesin e taktikave luftarake të ushtrisë, se i ka dërguar manualin e manovrave speciale ushtarake për vrasjen e ushtarëve amerikanë si dhe informacione për rrethimin e disa ndërtesave me lëndë shpërthyese.
Në dosje vihet në dukje se Bridges këtij personi i ka dërguar edhe një video ku ai kishte dalë përpara flamurit të DEASH-it.
Përgjegjësi i FBI-së për New Yorkun, William F. Sweeney Jr. ka deklaruar se ushtari Bridges me qëllimin e tij për të ofruar ndihmë në sulmin e organizatës ndaj personit që mendonte se ishte simpatizant i DEASH-it, ka tradhtuar vendin dhe njësinë e tij duke ngritur komplot për të vrarë ushtarët amerikanë në Lindjen e Mesme.