Zeynep Katre Oran
28 Janar 2025•Përditësim: 29 Janar 2025
Agjencia Amerikane e Emigracionit dhe Doganave (ICE) njoftoi se 1.179 emigrantë të parregullt u arrestuan brenda një dite në kuadër të "punimeve për dëbimin e emigrantëve të parregullt" të kryera në të gjithë vendin me qëllimin për të rritur sigurinë kufitare, transmeton Anadolu.
Në postimin e bërë nga llogaria X e ICE-së, paraqitet numri i emigrantëve të arrestuar në operacionet e kryera dje në qytete të ndryshme në mbarë SHBA-në, me bashkëpunimin e agjencive të shumta federale.
Sipas postimit, teksa zyrtarët e ICE-së kanë arrestuar 1.179 persona, vërehet se kjo është shifra më e lartë ditore e arrestimeve të emigrantëve të parregullt që është regjistruar që kur presidenti i SHBA-së, Donald Trump mori detyrën më 20 janar.
Në anën tjetër, kanali amerikan NBC News në lajmin e tij të bazuar në të dhënat që ka siguruar, pretendon se vetëm 613 nga 1.179 emigrantët e arrestuar kishin "kryer krime të rënda", ndërsa pjesa tjetër ishin "kriminelë pa ushtrim dhune" ose persona që nuk kishin kryer ndonjë krim tjetër përveç kalimit të kufirit amerikan "në mënyrë të paligjshme".
- Politikat e administratës së Trumpit ndaj emigrantëve
Pas ceremonisë së betimit më 20 janar, Trump deklaroi se rregullorja për dhënien e nënshtetësisë automatike për fëmijët e emigrantëve të lindur në SHBA do të shfuqizohet dhe se amendamenti i 14-të i Kushtetutës, i cili i jep këtë të drejtë, duhet të riinterpretohet.
Duke deklaruar se do t'i jepte fund fluksit të emigrantëve të parregullt në kufi me masa të ashpra, Trump njoftoi heqjen e aplikacionit të quajtur "CBP One", i cili ofronte mundësinë për emigracion legjitim në vend.
Trump nënshkroi një dekret të ri me qëllimin për të rritur masat e sigurisë në kufirin SHBA-Meksikë dhe vendosi të dërgojë 1.500 ushtarë shtesë në kufi.
Administrata e Trumpit për të rritur përpjekjet për deportimin e emigrantëve u ka dhënë autoritet të gjerë agjencive të shumta federale, përfshirë Agjencinë Amerikane për Luftën kundër Drogës (DEA), Byronë e Alkoolit, Duhanit, Armëve të Zjarrit dhe Eksplozivëve (ATF) dhe agjencinë federale të zbatimit të ligjit USMS të lidhur me Departamentin e Drejtësisë.